Postimi nga Shukri Buja:
Të nderuara familje të dëshmorëve!
Të nderuara familje të martirëve!
Të nderuar bashkëluftëtarë!
Të nderuar qytetarë!
Është i rëndë, i papërgjegjshëm, politik, i njëanshëm dhe i dëmshëm për Kosovën vendimi i Gjykatës së Specializuar!
Sot nuk u goditën vetëm çlirimtarët. U godit lufta jonë. U godit sakrifica jonë. U godit gjaku i derdhur për liri. U godit një popull që, për të qenë i lirë, pagoi çmimin më të shtrenjtë.
Është e rëndë për ne kur dënohen çlirimtarët, ndërsa pushtuesi, përmes mekanizmave të tij shtetërorë, që kreu krime të rënda ndaj popullit tonë, vazhdon të mbetet pa përgjegjësinë që ne e kërkojmë.
Ne ende hapim varre masive. Ende kërkojmë të pagjeturit. Ende ka nëna që presin përgjigje. Ende ka familje që jetojnë me plagët e luftës.
Dhe sot, mbi këto plagë, rëndon edhe një goditje tjetër.
E di se çfarë keni në zemër sot.
Zemërim. Mllef. Dhimbje. Revoltë.
Dhe askush nuk mund t’jua mohojë këtë dhimbje.
Por, ju lutem: mos ta lejojmë dhimbjen të na verbojë.
Sot duhet të jemi më të bashkuar se kurrë.
Ta ngremë zërin. Ta shprehim revoltën, por jo me dhunë.
Mos të biem pre e provokimeve të armiqve tanë dhe strukturave të tyre që veprojnë brenda Kosovës.
Mos t’ua japim mundësinë të dëmtojnë Kosovën në emër të dhimbjes sonë.
Sepse kjo Kosovë që e kemi sot nuk u fal. Ajo u ngrit mbi sakrificën e atyre burrave që e mbajtën mbi supe peshën e luftës, që ecën përmes zjarrit, që i lanë vitet e rinisë nëpër beteja dhe që sot i mbajnë në ballë rrudhat e një historie të shkruar me gjak.
E përballë gjithë kësaj dhimbjeje, një fjalë duhet të mbetet mbi çdo zë tjetër: LIRIA E TYRE!
Le të mos shuhet kurrë shpresa për drejtësi, për të vërtetën dhe për kthimin e tyre në Kosovë.
Dhe derisa të hapen dyert e lirisë, zëri ynë do të mbetet i pandalur.
Liria e tyre nuk është thjesht një shpresë, është një thirrje që nuk do të heshtë kurrë!


