Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas vendimit të rëndë që mori Haga ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
OVL-ja thotë se ky dënim hidhet poshtë kategorikisht, pasi godet luftën çlirimtare dhe lëndon çdo familje që dha bijtë për liri.
Ky është reagimi i plotë:
Hedhim poshtë kategorikisht dënimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ky aktgjykim godet luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së dhe lëndon çdo familje që dha bijtë dhe bijat për lirinë e Kosovës.
UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale. Ishte rezistenca e organizuar e një populli përballë pushtimit, dëbimit dhe masakrës, e vetmja përgjigje që i kishte mbetur një kombi të dënuar me zhdukje. Ajo sakrificë ndërtoi shtetësinë, sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Asnjë institucion, kudo qoftë, nuk ka autoritetin moral ta nxjerrë në gjyq këtë të vërtetë.
Asnjë vendim nuk mund ta rishkruajë luftën tonë çlirimtare apo të njollosë ata që luftuan për liri. E vërteta e UÇK-së nuk është çështje interpretimi gjyqësor, është historia e jetuar e një populli që e fitoi shtetin me gjak.
Që në fillim e kemi quajtur politike këtë gjykatë dhe procesi na dha të drejtë. Është turp për drejtësinë ndërkombëtare, një njollë që do të mbetet gjatë dhe që tregon se si është trajtuar lufta jonë çlirimtare dhe sakrifica e popullit tonë.


