Pas publikimit të lajmit se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kërcënuar gazetarin Vehbi Kajtazi në lidhje me publikimin e lajmit se vëllai i Mustafës ka kërkuar azil në Bashkimin Evropian, ka reaguar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.
Duke kujtuar se si Policia “shumë shpesh ka arrestuar qytetarë edhe për thjesht ndonjë shpërthim të momentit në facebook, që pushteti e ka interpretuar si kërcënim”, Ymeri ka pyetur në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook se “a do të guxojë policia e Isës ta arrestojë vetë Isën, i cili e paska telefonuar personalisht Vehbi Kajtazin për ta kërcënuar?”.
Kërcënimi prej kryeministrit është shumë serioz, ka vlerësuar Ymeri, njofton Gazeta Express.
Ky është postimi i plotë i Ymerit në rrjetin social:
“Sot mora vesh se Isa Mustafa e paska kërcënuar një gazetar. Policia e Isës shumë shpesh ka arrestuar qytetarë edhe për thjesht ndonjë shpërthim të momentit në facebook, që pushteti e ka interpretuar si kërcënim. Por, a do të guxojë policia e Isës ta arrestojë vetë Isën, i cili e paska telefonuar personalisht Vehbi Kajtazin për ta kërcënuar? Kërcënimi prej kryeministrit është shumë serioz, në një vend jodemokratik si Kosova e Isës.
Shpreh keqardhje, dhe mbështetje në emër të Lëvizjes për gazetarin e kërcënuar, cilatdo që janë qëndrimet e tij ndaj nesh.
Duhet të punojmë së bashku për një Kosovë ku secili mund të kritikojë secilin, madje edhe me kritika të ashpra, por askush s’ka të drejtë të kërcënojë askënd. Por ky transformim duhet të fillojë prej pushtetit. Duhet larguar nga pushteti Isa, e ata që kanë mentalitetin e Isës, që Kosova t’i shpëtojë kërcënimeve.”


