Këshilli Gjyqësor i Kosovës përmes një komunikate për media ka dënuar sulmin ndaj Gjykatës Themelore në Lipjan, duke konsideruar se veprime të tilla ndaj institucioneve të drejtësisë janë të ulëta dhe vandale, transmeton QdheQ.
KGjK ka bërë thirrje ndaj organeve përgjegjëse që të zbardhin rastin.
Përmes një njoftimi për media, Këshilli Gjyqësor ka dënuar hedhjen e molotovit në zyrat e Gjykatës Themelore-dega në Lipjan.
Mbrëmë, persona të panjohur kanë hedhur koktej molotovi në objektin e Gjykatës Themelore në Lipjan.
“Këshilli Gjyqësori i Kosovës (KGjK) shpreh indinjatë të thellë për hedhjen me koktej molotovi në zyrat e Gjykatës Themelore – dega në Lipjan. KGJK dënon ashpër një akt të tillë duke e cilësuar si një veprim të ulët dhe kriminal ndaj institucioneve të drejtësisë përmes së cilit cenohen vlerat themelore mbi të cilat bazohet shteti i së drejtës. KGJK fton organet kompetente që të zbardhin akterët e këtij akti vandal, dhe njëherit zotohet në jetësimin e misionit të institucioneve gjyqësore për të siguruar rend dhe ligj në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e KGjK-së. /QdheQ


