Ka vdekur Alush Gashi, ish-ministri i Shëndetësisë dhe njëherit ndër themeluesit e LDK. Njoftimi është bërë nga familjarët e tij nëpërmjet Facebook.
“Të dashur miq,
Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se ka ndërruar jetë më i dashuri ynë, Alush Gashi.
Familja, të afërmit dhe miqtë do ta kujtojnë gjithmonë me dashuri, respekt dhe mirënjohje për jetën, veprën dhe kujtimet që la pas.
Për detajet rreth ceremonisë do të njoftoheni me kohë.”, ka shkruar djali i tij Anil Gashi.

Gashi luajti një rol të rëndësishëm në luftën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje. Në vitin 1989, si dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ai u bë pjesë e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ishte anëtar i LDK-së dhe mori pjesë në negociatat për të shmangur luftën. Ai gjithashtu shërbeu si këshilltar i lartë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Ibrahim Rugovës, dhe poashtu ishte sekretar për marrëdhëniet me jashtë i LDK. Edhe pas luftës në Kosovë ai ka qenë politikisht aktiv. Në zgjedhjet e vitit 2007, Gashi ishte ndër përfaqësuesit më të votuar në parlamentin e Kosovës. Gashi është nënshkrues i deklaratës së pavarësisë, dhe ndërmjet nëntorit 2007 dhe prillit 2010 ai mbajti postin si ministër i shëndetësisë. Gashi ushtron profesionin e profesorit të anatomisë, dhe në vitin 2019 është zgjedhur anëtar i këshillit të përgjithshëm të LDK. Pas një pauze disavjeçare nga postet publike, në qershor të vitit 2020 Gashi u zgjodh këshilltar politik i kryeministrit politik z. Avdullah Hoti. Përvoja e gjatë e Gashit në politikë të jashtme e bën të konsiderohet si person me lidhje të forta ndërkombëtare e posaçërisht me SHBA-të.
Në shkurt të vitit 2021, me zgjedhjen e Lumir Abdixhikut si kryetar i LDK-së, Prof. Dr. Alush Gashi u rizgjedh edhe për një mandat si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Ai është anëtari më i vjetër i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, parti në të cilën ishte që nga dita e themelimit. Në qershor të vitit 2021, Prof. Dr. Gashi themeloi Institutin për Marrëdhënie me Jashtë (Institute of Foreign Relations), ku mban pozitën e kryesuesit të bordit. Instituti për Marrëdhënie me Jashtë është institucioni i parë i llojit të tillë, i cili si synim ka të nxisë një debat intensiv mbi politikën e jashtme të Kosovës. Gazeta Zëri njoftoi që në nëntor të vitit 2021, Prof. Dr. Gashi bëri lansimin e institutit duke mbajtur takimin e parë me diplomatë të Evropës Jug-Lindore ku shkëmbyen mendime se si Kosova mund të zhbllokojë anëtarësimin e saj në nivel shumëpalësh dhe njohje diplomatike.


