Dekreti për shpërndarjen e kuvendit është jokushtetues, thotë kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila. Ajo është e bindur se një gjë e tillë do të konfirmohet edhe nga Gjykata Kushtetuese, madje shton se për zgjedhjen e presidentit duhet pritur afatin 60-ditor, pasi në seancën e 5 marsit vetëm kanë nisur procedurat.
Kusari-Lila, e cila është ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, thotë për KosovaPressin se mungesa e kuorumit në seancën e 5 marsit për presidentin ka krijuar konfuzion në raport me përgjegjësitë e deputetëve. Sipas saj, duhet të ketë një vendimmarrje nga Kushtetuesja edhe në këtë drejtim, pasi kërkesa i është drejtuar nga kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.
“Kjo është tërësisht në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese. Çka unë besoj se do të duhej të ishte e vlefshme, apo çka do të duhej të ishte vendim me bazë juridike dhe i arsyeshëm për stabilitetin e vendit, është të hapej edhe një mundësi kohore për kthimin në procedurë të votimit për të parin e vendit apo të parën e vendit dhe pastaj të shihet a ka mjaftueshëm vota apo vullnet të deputetëve për të vazhduar tutje. Në cilindo rast, do të duhej të ishte më i qartë dhe më i përshtatshëm në një farë forme që deputetët të deklaroheshin për qëndrimin e tyre para shpërndarjes së Kuvendit. Për shkak se në secilën rrethanë, një mungesë e konsiderueshme e deputetëve në sallë, gjithësisht mungesa e kuorumit, ka krijuar një konfuzitet në raport me përgjegjësinë e tyre, por gjithashtu edhe me faktin që menjëherë është shpërndarë Kuvendi”, shton ajo.
Kusari-Lila tregon edhe pse ndodhi çarja e raporteve me Vjosa Osmanin, pasi ajo nuk u kandidua për një mandat të dytë si presidente
“Po besoj kjo pyetje është pyetje me një adresë tjetër. Me presidenten Osmani kemi pasur bashkëpunim dhe uroj që në cilindo kapacitet do të vazhdojmë ta kemi. Por sidoqoftë, vendimmarrja politike përcaktohet me shumicën e votave, ndërsa në rastin konkret, si kandidate e propozuar potencialisht nga grupi parlamentar, pjesë e të cilit isha deri në emërimin tim si ministre në Qeverinë e Kosovës, u pa se nuk ishte e mjaftueshme për zgjedhjen e saj. Prandaj, kjo pjesë tjetër pastaj është histori për të cilën mund të diskutojmë në të ardhmen e afërt ose të largët”, thekson Kusari-Lila.
Sa i përket stabilitetit të koalicionit qeverisës pas moskandidimit të Osmanit për presidente, Kusari-Lila u shpreh se e sheh atë si shumë stabil.
“Unë e shoh si shumë stabil. Unë e shoh që brenda grupit parlamentar ekziston një frymë bashkëpunimi dhe një frymë përcaktimi për të vazhduar tutje edhe me këtë mandat të qeverisë dhe të legjislaturës së Kuvendit. Ndërsa mbetet të shihet prapë, po e them, se cilat do të jenë veprimet e tjera në raport me aktgjykimin final të Gjykatës Kushtetuese”, përfundon Kusari-Lila.


