Konjufca: Lufta e UÇK-së ishte mbrojtëse, Gjykata në Hagë një etnike

PUBLIKUAR

Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, ka deklaruar nga Haga se Gjykata Speciale është njëetnike dhe se gjatë procesit gjyqësor ka shkelur të drejtat e njeriut.

Konjufca ka përmendur faktin se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po gjykohen prej 5 vitesh e 3 muajsh, duke u mbajtur të izoluar, larg familjeve dhe shtetit të tyre.

“Ka qenë shkelje brutale e të drejtës për të pasur një gjykim brenda një afati të arsyeshëm. Ne e kemi pasur kritikën tonë për këtë gjykatë, që është njëetnike dhe që fokusin e ka padrejtësisht te UÇK-ja. Unë jam këtu për të konfirmuar edhe një herë se lufta jonë, e popullit të Kosovës, ka qenë luftë e pastër, mbrojtëse. Nuk ka qenë qëllimi i kësaj lufte sulmi i asnjë populli tjetër”, ka thënë ai.

Sipas tij, targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ka qenë ushtria dhe policia serbe, forcat e uniformuara okupatore që kryen gjenocid në Kosovë, vranë fëmijë, gra e pleq dhe mbi 12 mijë qytetarë.

“Kundër tyre ishte e drejtuar lufta e UÇK-së dhe këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë institucion, asnjë gjykatë. Ajo që po përpiqet të ndodhë brenda kësaj gjykate është shtrembërimi i historisë”, ka thënë ai para mediave në ditën e fundit kur katër ish-krerët e UÇK-së do të flasin.

Ministri i Jashtëm Konjufca tha se vetë dokumenti mbi të cilin u ndërtua kjo gjykatë, raporti i Dick Marty-t, doli të jetë i rremë.

Ai përmendi se deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë bërë kërkesë që trupi gjykues të trajtojë edhe masakrën e Dubravës, por kjo kërkesë nuk është marrë parasysh.

“Një pjesë e deputetëve i është drejtuar kësaj gjykate për ta testuar sinqeritetin e saj. Një grup deputetësh ka paraqitur edhe kërkesën për trajtimin e masakrës së Dubravës, ku janë të qartë personat që e kanë kryer atë: dihet kush ka qenë ministër i Serbisë, drejtor i burgut të Dubravës, dihet secili gardian që e kreu atë masakër. Kjo kërkesë i ka shkuar Gjykatës Speciale. Ata kanë thënë se nuk janë njëetnike, por kurrë nuk kanë trajtuar asnjë krim të Serbisë”, ka thënë Konjufca. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Zgjedhen dy anëtarët e KGJK-së, nga radhët e gjykatave të shkallës së parë Zgjedhen dy anëtarët e KGJK-së, nga radhët e gjykatave të shkallës...

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka zgjedhur dy anëtarë të KGJK-së nga radhët e gjykatave...

Vdes një person në një aksident trafiku në Vranidoll të Prishtinës

Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti mes dy veturave në Vranidoll...

Veteranët e UÇK-së iu bëjnë thirrje protestuesve në Tiranë: Mos i keqpërdorni simbolet e UÇK-së për qëllime politike

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur publikisht shqetësimin e saj për...