Mustafa në Samitin e EPP-së, kërkon përkrahje për liberalizimin e vizave

PUBLIKUAR

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në punimet e Samitit të krerëve të shteteve dhe të qeverive të shteteve të BE-së dhe atyre jo anëtare të BE-së, pjesëtare të Partive Popullore Evropiane (EPP), që po zhvillohet në Bruksel.

Në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit thuhet se Mustafa i informoi të pranishmit lidhur me progresin e gjithanshëm që po arrihet në Republikën e Kosovës si dhe zhvillimet aktuale politike.

“Kryeministri Mustafa kërkoi mbështetjen e liderëve politikë dhe institucionalë anëtarë të EPP-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke i njoftuar për përmbushjen nga ana e Kosovës të të gjitha rekomandimeve dhe kritereve të kërkuara”.

“Kryeministri Mustafa theksoi se duke u bazuar në punën e bërë në këtë drejtim, institucionet dhe qytetarët e Kosovës me të drejtë presin vlerësim dhe vendim pozitiv të mekanizmave të BE-së për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës”.

“Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për rrugën evropiane, duke theksuar edhe orientimin e Kosovës për zgjidhjen e të gjitha çështjeve me fqinjët përmes dialogut”.

“Kryeministri Isa Mustafa i ka njoftuar edhe për masat konkrete që ka marrë Qeveria e Kosovës për ndaljen e fluksit të refugjatëve nga Kosova gjatë fillimvitit të kaluar në drejtim të vendeve të BE-së dhe rezultatet inkurajuese në riitntegrimin e të kthyerve në Kosovë”.

Sipas njoftimit, krahas kryeministrit Mustafa, në punimet e samitit kanë marrë pjesë edhe liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministri Viktor Orban, dhe krerë të tjerë të partive të djathta evropiane.

Po ashtu, po sipas njoftimit ishin të pranishëm edhe drejtues të lartë të mekanizmave të BE-së, si presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, presidenti i EPP-së, Joseph Daul etj. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Gashi: Edhe pak orë afat për konstituimin e Kuvendit, të zgjedhim kryetarin dhe të vazhdohen bisedimet për qeverinë e presidentin

Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës shkruan se kanë mbetur vetëm disa orë...

U rikthye në Kuvend, flet Vjosa Osmani

Vjosa Osmani ka reaguar pas rikthimit si deputete në Kuvendin e Kosovës. “Po rikthehemi aty...

Zona 60/ BMW kapet me 178 km/h në Shtime, shoferi gjobitet me 500 euro

Policia e Kosovës ka ndëshkuar një shofer për tejkalim ekstrem të shpejtësisë në komunën...