Kurti: Anija me ndihma nga Kosova niset nga Turqia drejt Gazës, kjo u bë e mundur pas marrëveshjes së paqes nën udhëheqjen e Trumpit

PUBLIKUAR

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bërë të ditur se sapo ka marr njoftimin se anija e ngarkuar me ndihmën humanitare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës, është nisur nga porti i Mersinit në Turqi.

Kurti në një postim në Facebook shkruan se edhe pse Qeveria e Republikës së Kosovës e ka marrë këtë vendim që në janar, realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, të arritur nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Lexoni të plotë postimin:

Sapo morëm njoftimin se anija e ngarkuar me ndihmën humanitare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës, është nisur nga porti i Mersinit në Turqi. Dërgesa jonë humanitare, me vlerë prej 500 mijë euro, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë për banorët në nevojë atje.

Edhe pse Qeveria e Republikës së Kosovës e ka marrë këtë vendim që në janar, realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, të arritur nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Kjo ndihmë humanitare përfaqëson angazhimin e Republikës së Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gaza. Na gëzon fakti që jemi qeveria e parë e Republikës së Kosovës që arrijmë të ofrojmë një mbështetje të tillë për banorët e Gazës. Shpresojmë që ajo të kontribuojë, qoftë edhe në mënyrë modeste, në lehtësimin e vuajtjeve dhe në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet për të gjithë.

Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke, për bashkëpunimin e ngushtë dhe ndihmën në realizimin e këtij operacioni humanitar. /Telegrafi/

 

SHIKO MË SHUMË

Apeli shqyrton ankesat në rastin e ish-zyrtares së OSBE-së të dënuar për spiunazh

Në Gjykatën e Apelit po shqyrtohen ankesat e Prokurorisë dhe të mbrojtjes lidhur me...

Besa Shahini bëhet nënë, lëvdata personelit mjekësor për kujdesin

Ish-kandidatja për kryetare të komunës së Prishtinës, Besa Shahini, ka njoftuar se është bërë...

Hoxha nderon Afrim Bunjakun: Kemi kapacitete më të mëdha se në kohën e sulmit në Banjskë

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se Policia e Kosovës tashmë...