Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës është realizuar për herë të parë në vend procedura e avancuar Frozen Elephant Trunk (FET), së bashku me zëvendësimin e rrënjës së aortës përmes Bentall procedurës. Operacioni është kryer në Shërbimin Klinik të Kardiokirurgjisë.
Pacienti, i cili dy vite më parë kishte pësuar disekacion akut të aortës dhe ishte operuar jashtë vendit për zëvendësimin e pjesës ascendente të saj, ka pasur përkeqësim të gjendjes për shkak të zgjerimit të rrënjës së aortës, harkut aortik dhe dëmtimit të valvulës aortale, duke kërkuar ri-ndërhyrje të ndërlikuar kirurgjike, përcjell Telegrafi.
Operacioni është kryer nga ekipi i udhëhequr nga Prof. Dr. Omer Xhemali, drejtor i Kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar të Cyrihut dhe udhëheqës i Aleancës për Kardiokirurgji në Cyrih, së bashku me Dr. Petar Risteski dhe anesteziologen Dr. Bettex Dominique, në bashkëpunim me ekipin vendor të kardiokirurgëve dhe anesteziologëve të QKUK-së.
Sipas SHSKUK-së, operimet e tilla janë ndër më komplekset në fushën e Kardiokirurgjisë dhe zakonisht kryhen vetëm në qendra të nivelit të lartë ekselent.
Ky sukses vlerësohet si hap i rëndësishëm drejt avancimit të procedurave kardiokirurgjike në Kosovë, falë bashkëpunimit me klinika prestigjioze ndërkombëtare.
Shërbimi Klinik i Kardiokirurgjisë në QKUK ka njoftuar qytetarët se të gjitha rastet që kanë nevojë për trajtim të sëmundjeve të zemrës mund të drejtohen në QKUK, pa pasur nevojë për trajtim jashtë vendit. /Telegrafi/




