Komuna e Lipjanit shpërndanë 273 freza për fermerët

PUBLIKUAR

Komuna e Lipjanit ka shpërndarë 273 freza për fermerët përfitues në kuadër të procesit të subvencionimit me mekanizëm bujqësor nga Drejtorati për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.

Kryetari i komunës, z. Imri Ahmeti, gjatë procesit të shpërndarjes së frezave tha se ky lloj subvencionimi ka për qëllim zhvillimin dhe avancimin e bujqësisë në Lipjan dhe se kjo nuk do të jetë ndihmesa e fundit për bujqit e Lipjanit.

“Me të vërtetë ndihem mirë dhe është kënaqësi që na jepet mundësia që t’i ndihmojmë atyre që me të vërtetë merren me bujqësi dhe e punojnë tokën. Sot po shpërndajmë 273 freza për fermerët e Lipjanit, përmes të cilave do të lehtësohet ndjeshëm procesi i punimit të tokës me mekanizmin punues të avancuar. Në të njëjtën kohë në terren po montohen aktualisht 233 serra. Disa ditë më parë kemi subvencionuar edhe prodhuesit e qumështit,” tha kryetari Ahmeti.

Ai po ashtu njoftoi se vitin e kaluar mbi 900 familje kanë marrë mbështetje dhe se procesi do të vazhdojë me rritjen e mbështetjes, pasi infrastruktura publike dhe asfaltimet e rrugëve kanë përfunduar.

Ndërsa drejtori i Bujqësisë, z. Rexhep Rexhepi tha se kjo ndihmë është e mirëseardhur për fermerët lipjanas, të cilët do ta kenë më të lehtë punën në bujqësi. “Drejtorati për Bujqësi në Komunën e Lipjanit falë përkrahjes së vazhdueshme nga kryetari Ahmeti është i përkushtuar në mbështetjen e fermerëve tanë në mënyrë që të sigurojmë pajisje moderne që do të lehtësojnë punën dhe do të rrisin produktivitetin bujqësor,” tha drejtori Rexhepi.

Të lumtur me këtë mbështetje u shprehën edhe fermerët përfitues, ata falënderuan komunën, konkretisht Kryetarin Imri Ahmeti, i cili për çdo vit po gjen mundësinë për t’i përkrahur ata.

 

SHIKO MË SHUMË

Arrestohet një grua në Lipjan, dyshohet për shantazh ndaj një burri

Policia e Kosovës ka arrestuar një grua në Lipjan, e cila dyshohet se ka...

Digjet ara me grurë në Shalë të Lipjanit, shkrumbohen rreth 3 hektarë (VIDEO)

Tani që ka nisur sezoni i korrje-shirjeve, makineritë shihen gjithandej vendit duke bërë mbledhjen...

Sulmohen me rreze laseri aeroplanët mbi Lipjan, nisin hetimet

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për sulmet me laser ndaj aeroplanëve që...