Më 15 janar ndizen qirinjtë për viktimat e gjenocidit në Kosovë

PUBLIKUAR

Me rastin e Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit në Kosovë, qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” u ka bërë thirrje qytetarëve që më 15 janar 2024 duke filluar nga ora 19:30, të bëjnë ndezjen e qirinjve në shenjë përkujtimi për viktimat e gjenocidit në Kosovë.

Ndezja e qirinjve do të bëhet në sheshin “Skëndërbeu” në Prishtinë, raporton Klan Kosova.

“Të përkujtojmë se viti 2024 shënon një çerek shekulli i gjenocidit mbi shqiptarët e Kosovës, të cilin e kanë zbatuar forcat serbe gjatë luftës së fundit”, thuhet në komunikatën e dërguar nga kjo qendër.

“Siç kemi bërë thirrje edhe më herët, shfrytëzojmë rastin që edhe njëherë të ftojmë institucionet qendrore e lokale të Kosovës, partitë politike, organizatat joqeveritare e të gjithë qytetarët, që këtë çerekshekull të gjenocidit mbi popullin tonë ta shënojmë në mënyrë sa më të dinjitetshme, duke treguar përgjegjësi të lartë shtetërore e qytetare”.

“Më 15 janar, pikërisht në ditën që Kuvendi i Kosovës e ka caktuar si ditën e përkujtimit të viktimave të gjenocidit, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, aktivistët e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” do të bëjnë ndezjen e qirinjve. Ftohen qytetarët e Prishtinës që të bashkëngjiten në këtë aktivitet”, thuhet në komunikatë.

Qytetarët e qyteteve tjera, me vetiniciativë mund ta bëjnë ndezjen e qirinjve në sheshet kryesore të qyteteve dhe të fshatrave të tyre.

“Organizimi me vetiniciativë edhe i qytetarëve në qytetet jashtë kufijve të Kosovës është i mirëseardhur, andaj ftojmë të gjithë shqiptarët kudo që janë të bëjnë nderimin e viktimave të gjenocidit pikërisht më 15 janar 2024 nga ora 19:30”, thuhet tutje.

Ata që nuk kanë mundësi të dalin në shesh, këtë ta bëjnë në ballkonet apo dritaret e tyre.

“Po ashtu, ftojmë të gjithë shqiptarët anekënd botës që në ora 19:30, sipas kohës së tyre lokale, ta bëjnë ndezjen e qirinjve në ballkone e dritare në nderim të viktimave të gjenocidit në Kosovë”, shton kjo qendër.

“Ftojmë gjithashtu organizatat joqeveritare, veçanërisht ato që në fokus të aktivitetit të tyre e kanë çështjen e viktimave të luftës që të bashkëngjiten në këtë aktivitet përkujtimi.

Përkujtimi i viktimave të Gjenocidit në Kosovë është më e pakta që ne duhet të bëjmë në rrugëtimin për ngadhënjimin e drejtësisë dhe ndëshkimin e krimit!”, thuhet në fund të kësaj komunikate.

SHIKO MË SHUMË

Këto vende mbesin pa rrymë sot

KEDS ka njoftuar se cilat vende do të kenë sot ndërprerje të rrymës për...

Moti sot me diell, temperaturat deri në 25 gradë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se moti gjatë fundjavës do të jetë i...

Hasani: Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale ka gjasa të anulojë Ligjin e ri për Specialen

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka vlerësuar se ekzistojnë gjasa të...