Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se është duke përcjellë gjendjen në vend, lidhur me pasojat e reshjeve të shiut, dhe se nesër do të bëjnë një vlerësim të gjendjes.
Përmes një shkrimi të lëshuar në llogarinë e tij facebook, Mustafa ka përgëzuar kryetarët e komunave për menaxhimin e situatës, sot gjatë vërshimeve.
Ky është shkrimi i plotë i Mustafës:
“Nga Qendra e Situatave, që vepron në Këshillin për Sigurinë e Kosovës, gjatë ditës jam informuar lidhur me pasojat e reshjeve të shiut në Mitrovicë, Vushrri, Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Obiliq, Podujevë, Drenas, Graçanicë, Pejë, Klinë, Istog, Deçan, Junik, Prizren, Suharekë, Dragash, Gjakovë, Malishevë dhe Rahovec.
Kam kontaktuar me telefon me Kryetaren e Komunës së Gjakovës, ku për fat të keq ka pasur edhe një viktimë njerëzore, me Kryetarin e Komunës së Malishevës, me atë të Lipjanit, të Mitrovicës dhe të Vitisë.
Gjatë ditës së nesërme do të bëjmë një vlerësim të gjendjes. FSK ka gatishmërinë të intervenojë dhe të ndihmojë, sikurse edhe njësità « e emergjencës pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, për tejkalimin e pasojave, sipas vlerësimeve të organeve përgjegjëse.
Përgëzoj Kryetarët e Komunave për një organizim të mirë dhe menaxhim të gjendjes në terren. IM”, ka shkruar Mustafa./LipjaniNEWS/


