Dëshira për të luajtur në Ligën e Kampionëve dhe nën urdhrat e Rafa Benitez, ishin faktorët kryesorë që e bindën Michun t’i bashkohej Napolit.
Sulmuesi spanjoll kaloi nga Swansea në Serie A në formë huazimi njëvjeçar, ndërsa klubi italian e ka opsionin e blerjes në fund të sezonit.
“Mendoj se është një hap i madh në karrierën time që ta luaj në Ligën e Kampionëve për herë të parë, për një nga klubet më të rëndësishme në Itali, para një tifozërie të bukur. Jam 28 vjeç dhe asnjëherë nuk më është dhënë ky rast, nuk munda të pres më shumë”.
“Po ashtu, doja të provoja një ligë të re dhe Napoli është një nga të mëdhenjtë në Serie A. Tifozët janë fantastikë dhe njëherësh kam shansin të punoj me një staf të shkëlqyer trajnues”.
“Ai (Benitez) bisedoi me mua dhe më shpjegoi shumë gjëra për Napolin. Do të bëj gjithçka që është e mundur që të respektoj këshillën e tij. Trajneri është një nga arsyet kryesore pse erdha këtu”, ka thënë Michu për South Wales Evening Post. /Telegrafi/



