Konjufca pret në takim dy senatorë amerikanë, zyra e kryeparlamentarit tregon çka u bisedua

PUBLIKUAR

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli, ka pritur sot në takim senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters, të shoqëruar nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Në takimin e ngrohtë dhe përmbajtësor u bisedua për zhvillimet politike në vend dhe rajon, integrimin në institucionet euro-atlantike dhe organizata e mekanizma ndërkombëtarë, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryetari Konjufca vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, miqësinë e përhershme, partneritetin e palëkundur dhe aleancën strategjike mes shteteve dhe popujve tanë.

Ai theksoi se mbështetja e SHBA-së është qenësore për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës. Gjithashtu përsëriti qëndrimin e shtetit të Kosovës, mbështetur edhe në garancinë e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetutës të Republikës së Kosovës.

Kryetari i Kuvendit falënderoi senatorët Chris Murphy dhe Gary Peters për angazhimin e tyre personal në proceset politike nëpër të cilat po kalon vendi ynë si dhe për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në çlirimin, shtetndërtimin dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Kryetari Konjufca dhe senatorët amerikanë konstatuan se marrëdhënia mes Kosovës dhe SHBA-së është speciale dhe shprehën përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

SHIKO MË SHUMË

Shqipëria dhe Kosova synojnë forcimin e bashkëpunimit në fushën e arkivave

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, ishte i pranishëm në...

Vranët dhe në disa zona me shi

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se të premten në Kosovë do të ketë vranësira...

Tentim vrasje në Deçan, tre të arrestuar

Tre persona janë arrestuar për tentim vrasje në Deçan të enjten. Policia njoftoi se të...