Konjufca para amerikanëve: Kosova nuk pranon modele që e rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve

PUBLIKUAR

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy Chorba, kryetar i Këshillit.

Takimi ishte për të diskutuar temat e interesit të përbashkët për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konjufca e vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe vendet demokratike evropiane në zhvillimin e Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ai po ashtu theksoi se Kosova është projekti më i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar i fundshekullit 20-të, i cili rezultoi me ndaljen e gjenocidit dhe trasoi rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Konjufca, foli edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se Qeveria e Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët e cila është në të mirë të të dyja shteteve dhe nga e cila vendet do të kenë prosperitet në të gjitha fushat. Megjithatë, ai tha se asnjëherë nuk do të pranohen modele që kanë për qëllim zhbërjen e shtetit dhe zbehjen e kompetencave ekzekutive brenda territorit të Kosovës.

Anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve theksuan mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe vendet demokratike evropiane për Kosovën dhe aspiratat euro-atlantike të saj.

Kjo është komunikata e plotë rreth takimit:

Kryetari Glauk Konjufca takoi Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy Chorba, kryetar i Këshillit.

Duke falënderuar diplomatët për kontributin e vazhdueshëm të tyre dhe të shtetit amerikan në zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë Kosovës, kryetari Konjufca theksoi se takime të kësaj natyre janë mundësi e mirë për të qëndruar më afër njëri-tjetrit dhe për të trajtuar tema që janë me interes vital për rajonin.

Referuar ndihmës që Kosova ka përfituar ndër vite nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet demokratike evropiane, kryetari Konjufca u shpreh se Kosova është projekti më i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar i fundshekullit 20-të, i cili rezultoi me ndaljen e gjenocidit dhe trasoi rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.

Intervenimi ndërkombëtar dhe pavarësia e Kosovës, shtoi kryetari Konjufca, nuk ishin vetëm domosdoshmëri e nivelit nacional, por kusht esencial për paqe dhe siguri në rajon dhe Evropë.

Duke folur lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kreu i Kuvendit theksoi se Qeveria e Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët e cila është në të mirë të të dyja shteteve dhe nga e cila vendet do të kenë prosperitet në të gjitha fushat. Por kryetari Konjufca tërhoqi vëmendjen se assesi nuk do të pranohen modele që kanë për qëllim zhbërjen e shtetit dhe zbehjen e kompetencave ekzekutive brenda territorit të Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj dialogut dhe gjetjes së zgjidhjes më të mirë për qytetarët e të dyja shteteve, por assesi, në asnjë rrethanë nuk do të pranohen modele që rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës”, tha ndër të tjera kryetari Konjufca.

Në anën tjetër, anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve ritheksuan vazhdimësinë e mbështetjes së popullit dhe shtetit amerikan për Kosovën dhe aspiratat euro-atlantike të saj. ​

SHIKO MË SHUMË

Shqipëria dhe Kosova synojnë forcimin e bashkëpunimit në fushën e arkivave

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, ishte i pranishëm në...

Vranët dhe në disa zona me shi

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se të premten në Kosovë do të ketë vranësira...

Tentim vrasje në Deçan, tre të arrestuar

Tre persona janë arrestuar për tentim vrasje në Deçan të enjten. Policia njoftoi se të...