Joseph: Beogradi duhet të festojë, anëtarësimi i Kosovës në KiE çon drejt Asociacionit

PUBLIKUAR

Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, sot ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Këtë lajm, analisti amerikan dhe ligjëruesi në Universitetin “Johns Hopkins”, Edward Joseph e ka komentuar duke thënë se vota pro anëtarësimit të Kosovës, i afron serbët drejt Asociacionit të shumëkërkuar.

“Votimi i KiE-së nxit perspektivat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Implementimi (i Asociacionit) do ta bëjë të pashmangshëm anëtarësimin e Kosovës në KiE, duke u dhënë serbëve qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Si dhe, liberalizimi i vizave më në fund do t’u mundësojë serbëve lëvizje të lirë në BE”, ka shkruar Joseph në Twitter.

Ai ka kritikuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe diplomacinë serbe për përpjekjet e pandalura që ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë evropiane.

“Beogradi do të duhej ta festojë votën pro në KiE dhe liberalizimin e vizave, në vend se t’i sabotojë zgjedhjet në veri të Kosovës. Në fund të fundit, serbët e Kosovës janë përfituesit më të mëdhenj”, ka vlerësuar ai.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Këshilli i Evropës, organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare.

Lidhur me këtë vendim pati 33 vota për, shtatë kundër dhe pesë abstenime. /GazetaExpress

SHIKO MË SHUMË

Shqipëria dhe Kosova synojnë forcimin e bashkëpunimit në fushën e arkivave

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, ishte i pranishëm në...

Vranët dhe në disa zona me shi

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se të premten në Kosovë do të ketë vranësira...

Tentim vrasje në Deçan, tre të arrestuar

Tre persona janë arrestuar për tentim vrasje në Deçan të enjten. Policia njoftoi se të...