Prokuror që ka ngritur akuza ndaj ish-Sekretarit të Përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, Kryetarit të OSHP-së Hysni Hoxha, Prokurores së Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Vahide Badivuku, kundër deputetit Naser Osmani dhe shtatë të tjerëve dhe së fundi është duke udhëhequr rastin e hetimeve ndaj Kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota.
Është ky prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Admir Shala, për të cilin Këshilli Prokurorial i Kosovës, organi më i lartë në organin e akuzës, ka miratuar një deklaratë duke i dhënë mbështetje të fuqishme prokurorit Shala, pas kërcënimeve që ky i fundit ka pasur pas urdhrit që ka dhënë për bastisje në komunën e Klinës.
Deklaratën të cilën e ka siguruar RTV Dukagjini në formën e shkruar thuhet se:
“Thellësisht të shqetësuar me diskursin e kohëve të fundit jo vetëm të këtij rasti, KPK fton të gjitha institucionet vendore dhe bartësit e tyre si dhe secilin individ të përmbahen nga ndërhyrja në sistemin prokurorial dhe të përmbahen nga cenimi i pavarësisë së plotë të prokurorëve në vendimmarrje ndërsa që siguron se çdo sjellje e tillë që mund të ketë element të veprës penale do të ndiqet, hetohet dhe dërgohet para gjykatës për dënim të personave të tillë. Dhe në këtë drejtim KPK siguron se do të luftojë me fanatizëm të ruhet pavarësia e secilit prokuror nga çfarëdo ndërhyrje apo pengesë që tentohet të bëhet në punën e prokurorëve”.
Tutje në deklaratë thuhet se KPK konsideron se publikimet e së paku 2 mesazheve në faqen zyrtare të degës së PDK-së në Klinë, të datës 6.2.2016, si dhe prononcimi i vetë kryetarit Sokol Bashota përmbajnë sjellje të jashtme, të paraparë me nenet 34.1.1 dhe 34.1.2 të rregullores nr .10/2015 dhe që këto sjellje cenojnë pavarësinë dhe autoritetin e prokurorëve dhe të institucionit të prokurorisë si dhe cenojnë ushtrimin e rregullt të funksionit të prokurorit.
Deklarata si e tillë në mbështetje të prokurorëve në përgjithësi e prokurorit Shala në veçanti është miratuar në mbledhjen e sotme të KPK-së, ku kryeprokurori Lumezi refuzoi kërkesën e prokurorit Armend Hamiti për transferimin në departamentin në të mitur, për arsye se prokurori Hamiti tashmë udhëheq me uzurpatorët.
“Ky prokuror është i ngarkuar me lëndët e AKP-së dhe ka rreth 51 rraste të uzurpimeve dhe që ato është duke i trajtuar dhe të gjitha këto lëndë të AKP-ti trajtoi deri në fund e pastaj të bëhet transferi i tij në departamentin për të mitur“, tha kryeprokurori Lumezi.
E kryesuesi i KPK–së prokurori Blerim Isufi me propozim të kryeprokurorit Lumezi hoqi nga lista transferimin e prokurorit Armend Hamiti për në departamentin e të miturve.
Kryeprokurori Aleksandër Lumezi me miratimin edhe të KPK-së deklaroi se fuqishëm mbështesin veprimet e e secilit prokuror në sistemin prokurorial të Kosovës në hetimin, ndjekjen dhe dërgimin para gjykatës të të gjithë kryesve të veprave penale dhe se ky përkushtim është më i fuqishëm se kurrë më parë dhe askush e asgjë nuk mund të zmbrapsë përkushtimin dhe vullnetin e prokurorëve për të hetuarë të gjithë kryesit potencial të veprave penale. /Telegrafi/



