Matoshi rreth “polemikave të komandantëve”: Pabesitë, pritat e mizoritë po na i shpërfaqin vetë akterët

PUBLIKUAR

Ashpërsimi i gjuhës në mes ish-bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe shkëmbimi i akuzave ndaj njëri tjetrit, sipas publicistit Halil Matoshi, e kanë bazën te morali dhe të bëmat e kohës se paraluftës.

Matoshi ka thënë për Telegrafin se “diskursi agresiv që ka shpërthyer aktualisht, e ka historinë dhe moralin e vet tek periudha e pasluftës”.

“Kur për pushtet dhe para u goditën vlerat fondamentale të kësaj shoqërie, sado të brishta që ishin: besa, burrëria, durimi, gajreti, duke i zëvendësuar nga pabesia, mburravecëria, mësymja agresive për ta koritë tjetrin, zemërimi etj”.

Ai ka theksuar se periudha kaotike e pasluftës dhe etablimi i njerëzve të fuqishëm por të padijshëm në pushtet, nga një shoqëri paqësore krijoi, sipas tij, monstrumë dhe agresorë të verbër – sa që siç thotë Matoshi, pothuajse për pak ditë (mars 2004) i shndërruan shqiptarët kosovarë nga viktima në xhelatë të harbuar.

“Pabesitë, pritat e mizoritë po na i shpërfaqin tash në sytë e botës vetë akterët, që veten e kanë quajtur komandantë lufte, e tash le të del dikush e le ta demantojë një Dick Marty apo një Williamson e të na bind se ky soj njerëzish qenkan sjellur vërtet si kushërinj të Nënës Terezës”, ka shtuar ai.

Matoshi ka thënë se “publiku kosovar është bombarduar me një diskurs agresiv – këto ditë – që nga thirrja për luftë vëllavrasëse e Hashim Thaçit e deri tek iftiret ndaj njëri tjetrit të Ramiz Lladrovcit dhe Rexhep Selimit e Gani Gecit, si dhe tregimet që po shpalosen rreth Xhabir Zharkut, për vrasjen në pritë të bashkëluftëtarëve”.

Ai mendon se rivaliteti i gjatë politik dhe mospërmbushja e tyre në këtë fushë të panjohur për ta, për shkak të së kaluarës së dhunshme dhe joqytetare të tyre, i ka bërë këto figura të luftës sipas tij, që të kalojnë nga euforia në fazën maniako-depresive.

“Natyrisht se tek ta, po shfaqet frika nga njëri tjetri sepse kodi i tyre është pabesia. Pra ata frikësohen se tjetri ka për të folur – sidomos tash – kur Gjykata Speciale mund të funksionalizohet”, ka shtuar Matoshi. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Haradinaj e lidh shkarkimin e Isufajt me sulmet e Kurtit: Po i vjen erë e keqe kësaj pune

Ramush Haradinaj ka reaguar pas shkarkimit nga detyra të kryeprokurorit të shtetit, Blerim Isufaj. Përmes...

Bedri Hamza futet në Qeveri, a do të pajtohen me Kurtin për mosshkuarje në zgjedhje?

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza është futur në objektin e Qeverisë. Ai...

Policia në Prizren fillon mbikëqyrjen e rrugëve me dronë

Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor – Prizren (NJTRR-Prizren) ka filluar zbatimin e kontrolleve të...