Pas 162 orëve nën rrënoja, FSK i shpëton edhe dy persona në Turqi

PUBLIKUAR

Ekipet nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë arritur t’i nxjerrin të gjallë edhe dy persona të bllokuar nga gërmadhat në Turqi.

Kështu ka bërë të ditur FSK-ja përmes një postimi në Facebook, ku njoftoi se pas 160 orëve është nxjerr një 50-vjeçar dhe pas 162 orëve, një vajzë 13-vjeçare.

“Pas një pune të palodhshme dhe shumë sfiduese me rrezikshmëri të lartë e me angazhim maksimal, të pathyeshëm dhe të pandalshëm djemtë e vajzat e ushtrisë së Kosovës së bashku me ekipet e ushtrisë turke, sot pas 160 orëve që nga tërmeti, kanë arritur të nxjerrin të gjallë një qytetarë i gjinisë mashkull rreth moshës 45 vjeçare, dhe pas 162 orëve është nxjerr edhe një vajzë 13 vjeçare, nën rrënojat e një objekti të shkatërruar”, njofton FSK.

Në njoftim tutje thuhet se këto ekipe do të vazhdojnë me përpjekjet e tyre për të shpëtuar jetë njerëzish.

“Edhe pse kanë kaluar shumë orë kërkimi, ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë të motivuar dhe po japin të gjithë energjinë e tyre për të shpëtuar jetët e njerëzve që janë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti”, thuhet tutje në njoftim.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e cilësoi si “lajm të mrekullueshëm” shpëtimin e dy personave nga pjesëtarët e FSK-së në Hataj.

“Shpresojmë se orëve në vijim pjesëtarët tanë të FSK-së të gjejnë edhe të tjerë të mbijetuar nën rrënojat e krijuara pas këtij tërmeti të tmerrshëm”, shkroi ai në Facebook.

Ndryshe, ekipet e shpëtimit në Turqi vazhduan të nxjerrin të mbijetuar nga rrënojat e tërmetit gjashtë ditë pas katastrofës, përfshirë një grua shtatzënë dhe dy fëmijë të vegjël, por numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri ka arritur në mbi 33 mijë.

Ministri i Mjedisit Murat Kurum tha se 24,921 ndërtesa janë shembur ose janë dëmtuar rëndë nga tërmeti në të gjithë rajonin.

Prokurorët shtetërorë në Adana urdhëruan ndalimin e 62 personave në një hetim për ndërtesat e shembura, ndërsa prokurorët kërkuan arrestimin e 33 personave në Dijarbakir për të njëjtën arsye, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.

Agjencia tha se tetë persona ishin arrestuar në Sanliurfa dhe katër në Osmaniye në lidhje me ndërtesat e shkatërruara që besohej se kishin defekte.

SHIKO MË SHUMË

Gërvalla për rastin e Arlinda Zekajt: Vrasja nuk ndodhi pa paralajmërim, raporti evidenton mangësi dhe vonesa

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë...

41-vjeçari që vdiq disa ditë pas aksidentit me motoçikletë është vëllai i aktorit kosovar, Agan Asllani

I riu që humbi jetën disa ditë pas një aksidenti me motoçikletë në Mitrovicë...

Me një komplet vezë, disa protestues arrijnë para qeverisë

Tashmë disa protestues kanë arritur para objektit të Qeverisë së Kosovës. Kjo pasi pak...