Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj pesëmbëdhjetë personave të pandehur me inicialet S.Sh., A.D.,V.N., S.D., A.Sh., B.H., S.Sh., S.H., M.Sh. – shtetas shqiptar të Republikës së Kosovës dhe Z.S., F.D., M.Y., A.D., H.I. S.Y.- shtetas të Republikës së Turqisë,të cilët gjenden nën masën e paraburgimit që nga muaji maj 2022 lidhur me rastin e koduar “Gropa”, ku u sekuestruan rreth 67,5 kilogram heroinë dhe 25,5 kilogram narkotikë të llojit morfinë dhe kodein.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se që nga muaji prill 2022, e deri më 23 maj 2022, paautorizim në shtëpinë e të pandehurit B.H., në fshatin Firaj, komuna Shtërpcë dhe në shtëpinë e të pandehurit M.Sh., në fshatin Varosh, komuna Ferizaj, të njëjtit, prodhojnë substanca narkotike të llojit heroinë dhe atë 67.5 kilogram, ndërsa 25.5, kilogram nuk arrijnë ta prodhojnë, ashtu që të pandehurit S.Sh, A.D., V.N dhe S.Z.,organizojnë transportin e lëndës së parë të narkotikut të cilën e sjellin nga Irani përmes Turqisë-Greqisë dhe Maqedonisë Veriore, e vendosin në një depo në rrugën “Astrit Bytyqi”, pastaj improvizojnë një laborator për prodhimin e heroinës në shtëpinë e të pandehurit B.H., në fshatin Firaj.


