Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka lëshuar një komunkatë, përmes së cilës, ka njoftuar se ka marrë vendim që të caktojë marzhen e fitimit për derivate, e cila, sipas saj, e ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve.
“Sipas këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër, kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër”, thuhet në komunaktën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Më tej, në komunkatë thuhet se ky vendim do të hyjë në fuqi një 1 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Më poshtë mund të lexoni komunkatën e plotë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë:
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga monitorimi i rregulltë i tregut të produkteve të naftës dhe bazuar në evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës lidhur me çmimet e furnizimit/importit të produkteve të naftës si dhe raportin e Inspektoratit të Tregut lidhur me çmimet e shitjes me pakicë të produkteve të naftës, ka evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror, çka përbën bazë/shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse.
Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.
Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.
Llogaritja e marzhës tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4 paragrafi 1.1 dhe 1.2. të U/A Nr. 03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtrishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse.
Ky vendim hyn në fuqi një (1) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.


