Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka reaguar pas raportimeve në media se Gjykata e Qarkut në Lubjanë e ka hedhur poshtë padinë e tij ndaj gazetarit të TV Planet në Slloveni, Vitomir Petroviç.
Këto pretendime Berishaj i ka quajtur shpifje, teksa ka thënë se Gjykata ende nuk e ka pranuar padinë për shqyrtim. Kjo pasi sipas tiij, nuk ka përfunduar ende procedura e ankimimit.
“Shpifja nuk kalon! Për çështjen penale në fjalë është ngritur padia ime private kundër gazetarit slloven i cili me dt 21.04.2022 shpifi kundër meje, por Gjykata e Qarkut në Lubjanë ende nuk e ka pranuar padinë për shqyrtim për shkak se procedura e ankimimit ende nuk ka përfunduar”, ka shkruar ambasadori në Facebook, ku ka bashkëngjitur edhe një dokument ku bëhet e ditur se padia është dorëzuar më 3 janar 2023.
Petroviç është gazetari i cili në prill të këtij viti pati raportuar për një aferë financiare, duke e implikuar në të edhe ambasadorin Berishaj.


