Sipas një komunikate për media të Presidencës, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka rafitikuar marrëveshjen ndërkombëtare me Holandën “Mbi organizimin e institucionit të Gjykatës Speciale të Kosovës i zhvendosur në Holandë”.
Kjo marrëveshje ishte nënshkruar me 15 shkurt 2016 nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe ambasadorja e Holandës në Kosovë dhe të pranuar nga Zyra e Presidentes më 23 shkurt.
“Presidentja Jahjaga e ka ratifikuar marrëveshjen me Holandën në bazë të kompetencave të saj kushtetuese për ratifikim te marrëveshjeve duke u bazuar në nenin 18, paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 10, paragrafi 4 të Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare, si dhe në nenin 4, paragrafi 3 të Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik. Me ratifikimin e kësaj marrëveshje – krahas ratifikimit më 4 shkurt 2016 të “Marrëveshjen së përkohshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës mbi organizimin e institucionit të Gjykatës Speciale të Kosovës i zhvendosur në Holandë” – Republika e Kosovës përmbush të gjitha obligimet e saj ndërkombëtare që lidhen me themelimin e Gjykatës Speciale”, thuhet në komunikatë.


