Vuçiq tregon datën kur Serbia pritet të dërgojë kërkesën për vendosjen e trupave në Kosovë

PUBLIKUAR

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq edhe një herë ka përmendur çështjen e një kërkese të cilën Serbia pritet t’ia parashtrojë KFOR-it në Kosovë.

Bëhet fjalë për një kërkesë zyrtare, sipas të cilës do t’i kërkohet “kthimi i forcave serbe të sigurisë në Kosovë sipas Rezolutës 1244”.

Një gjë të tillë, presidenti serb pritet ta bëjë pas mbledhjes së Qeverisë së Serbisë të enjten (15 dhjetor), shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, Beogradi zyrtar qysh më 8 dhjetor paralajmëroi “shqyrtimin e vendosjes së forcave të veta në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara”.

Me këtë paralajmërim, ai pretendon se iu përgjigj pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, e cila është e banuar me shumicë serbe.

Reklama

Deri te kjo situatë erdhi një muaj pasi serbët në veri u larguan nga institucionet e Kosovës.

Ndryshe, rrugët në drejtim të kufijve Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të mbeten të bllokuara. Numër pothuajse simbolik i qytetarëve kanë kaluar natën në tenda pranë barrikadave.

Mësohet se mësimi në shkollat fillore dhe të mesme në katër komunat veriore të Kosovës sot nuk po mbahet.

Po ashtu, dyqanet në veri të Mitrovicës mëngjesin e së enjtes janë parë të mbyllura.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke iu ofruar siguri dhe rend të gjithëve pa dallim.

Barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë.

Pantiq dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri.

Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.

Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, duke thënë se arrestimi i Pantiqit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve.

Reklama

Grupet kriminale serbe të maskuar kanë sulmuar Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX.

Si pasojë, një polic i Kosovës është lënduar, për çka ka marrë edhe trajtim mjekësor. /Telegrafi

SHIKO MË SHUMË

Gjetja e mbetjeve mortore në Kalludër e Jabukë, Kurti njofton kush janë tre të identifikuarit e radhës

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se, pas identifikimeve të para nga mbetjet mortore të...

Gjykata ia cakton një muaj paraburgim të pandehurit për sulm ndaj personit zyrtar: Ndryshe mund të arratisej, është edhe shtetas turk

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën prej një muaj paraburgim të pandehurit...

Dogana zbulon mallra të padeklaruara në kabinën e një kamioni në Han të Elezit

Dogana e Kosovës, gjatë kontrolleve të rregullta në pikën e kalimit kufitar në Han...