Chollet: Zgjedhjet në veriun e Kosovës duhet të shtyhen

PUBLIKUAR

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se zgjedhjet për pushtetin komunal në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe duhet të shtyhen dhe se për këtë çështje do të diskutojë më udhëheqësit e Kosovës gjatë vizitës së tij në Prishtinë javën që vjen.

Në intervistën për Zërin e Amerikës, e cila do të transmetohet nesër (e premte), Chollet tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se “nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit. Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta”.

“Kosova është demokraci shumetnike, sikurse Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenar me punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në këto 20 e ca vjet për ngritjen e demokracisë në Kosovë dhe duam të punojmë për ta mbështetur dhe ruajtur atë. Së këndejmi mendojmë se këto zgjedhje duhet të shtyhen derisa koha të jetë e duhur dhe kur mund të mbahen pa nxitur më shumë jo qëndrueshmëri dhe dhunë”, tha ai.

Chollet tha se po zhvillohen bisedime të vazhdueshme me udhëheqësit në Prishtinë dhe ambasadori amerikan Jeff Hovenier është shumë i përfshirë.

“Unë do të jem atje javën e ardhshme dhe kjo do të jetë ndër temat kryesore në bisedimet me presidenten dhe kryeministrit derisa presim të punojmë për një rrugë të përbashkët përpara”, tha zoti Chollet.

Ndryshe, Derek Chollet pritet të nisë të hënën një vizitë në Kosovë.

Ai pritet të jetë i shoqëruar nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë se “Escobar udhëton shpesh në rajon dhe do të jetë aty për konsultime të rregullta”.

Vizita e tyre pritet të ndodhë në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovë

Zgjedhjet në veriun e Kosovës, që u shpallën pas largimit të serbëve nga institucionet e vendit mes mospajtimeve rreth përdorimit të targave të makinave janë vënë në pikëpyetje pas incidenteve të ditëve të fundit në veri. Subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, Lista Serbe do t’i bojkotojë ato.

Autoritetet thanë se do të marrin vendim rreth tyre pas vlerësimeve të organeve të sigurisë në Kosovë.

SHIKO MË SHUMË

Gjetja e mbetjeve mortore në Kalludër e Jabukë, Kurti njofton kush janë tre të identifikuarit e radhës

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se, pas identifikimeve të para nga mbetjet mortore të...

Gjykata ia cakton një muaj paraburgim të pandehurit për sulm ndaj personit zyrtar: Ndryshe mund të arratisej, është edhe shtetas turk

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën prej një muaj paraburgim të pandehurit...

Dogana zbulon mallra të padeklaruara në kabinën e një kamioni në Han të Elezit

Dogana e Kosovës, gjatë kontrolleve të rregullta në pikën e kalimit kufitar në Han...