Hashim Thaçi, “gjarpri” që u bë President

PUBLIKUAR

Kur u vu në krye të delegacionit në Rambuje në vitin 1999, shumë pak njerëz e njihnin djalin e ri, nga nënshkrimi i të cilit po varej fati i Kosovës.

Ky ishte Hashim Thaçi, në atë kohë 31-vjeçar, të cilin nuk po e bindnin dot ndërkombëtarët për të vënë firmën në dokumentin, që më pas do t’u hapte rrugë bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë dhe do t’i hapet rrugën mëvetësimit të Kosovës.

Djaloshi “rebel” ishte drejtor politik i UÇK-së. Ai do të bëhej kryeministër vetëm një muaj para shpalljes së Pavarësisë, deklaratën e së cilës do ta lexonte ai vet, më 17 shkurt të vitit 2008.

I njohur gjatë luftës me nofkën “gjarpri”, Hashim Thaçi u lind në vitin 1968 në fshatin Burojë të Skënderajt, në Drenicë, rajon ky që njihet për kryengritje ndaj pushtuesve që nga koha e Perandorisë Osmane, e deri te lufta e UÇK-së.

Thaçi iu bashkua kauzës për pavarësi teksa ishte student dhe u shndërrua në njërin nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes protestuese të fillimviteve ’90.

Me intensifikimin e presionit serb ai u largua për në Zvicër, ku studioi histori dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Zyrih.

I kthyer në Kosovë si figurë kyçe e lëvizjes guerrile, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai mori nofkën “gjarpri” për shkak të shkathtësive të tij në shmangien e policisë serbe.

Përfaqësuesi më i lartë politik i UÇK-së, menjëherë pas luftës nënshkroi marrëveshjen e çarmatosjes dhe më pas themeloi Partinë Demokratike të Kosovës, si fraksioni kryesor i dalë nga radhët e UÇK-së.

Me këtë parti, ai fitoi për herë të parë zgjedhjet parlamentare më 17 nëntor 2007, duke u zgjedhur edhe kryeministër i Kosovës.

Gjatë karrierës së tij si kryeministër, Thaçi ka pasur ulje-ngritje; është cilësuar si George Ëashingtoni i Kosovës nga zv.Presidenti Joseph Biden në 2010-n. Ndërsa një vit më vonë, goditja më e e rëndë i vjen nga senatori zviceran, Dick Marty, në një raport ku UÇK-ja akuzohej për krime lufte dhe trafikim organesh, raport që çoi në themelimin e “Gjykatës Speciale”.

Që nga viti 2014, bashkë me partinë rivale të Isa Mustafës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, po qeverisin vendin dhe janë duke sfiduar edhe protestat dhe kundërshtimet e opozitës. Pikërisht marrëveshja mes PDK-së dhe LDK-së e nëntorit 2014 e bëri atë President.

Tashmë një politikan 48-vjeçar, Hashim Thaçi me flokë të zbardhura do të pasojë ish-Presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, i cili gjatë dhe pas luftës ishte rivali më i fortë politik i tij, ish-Presidentin Pacolli, si dhe Presidenten aktuale Atifete Jahjaga.

Që nga 7 Prilli, Thaçi do të ulet në karrigen e kreut të shtetit, duke nisur kështu “Misionin e ri” të karrierës politike.

/ Top Channel

SHIKO MË SHUMË

Kusari-Lila në Tiranë: Kosova synon integrim më të madh të produkteve vendore në tregun evropian

Ministrja e MINTI-it, Mimoza Kusari-Lila, sot në Tiranë, me organizim të Ministrisë së Ekonomisë...

220 persona aplikojnë për azil në Kosovë, këta janë shtetasit që prijnë me kërkesa

220 persona kanë aplikuar për azil në Kosovë, që nga janari e deri më...

Sveçla: Gjatë qeverisjes “Kurti 2” u fuqizua siguria dhe u luftua krimi i organizuar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se gjatë qeverisjes “Kurti 2”...