Sot, më 10 nëntor në takimin e grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian në rend dite do të jetë edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Kështu konfirmuan për Telegrafin nga Presidenca çeke e Bashkimit Evropian.
“Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në agjendë të enjten”, thanë shkurt nga Presidenca çeke për Telegrafin.
Ndryshe, për diskutimin e dytë të grupit punues për vizat në Këshillin e BE-së, Presidenca çeke ka dërguar një “dokument ndërinstitucional”, në të cilin tashmë është përfshirë edhe kërkesa e Francës e paraqitur në takimin e parë, më 13 tetor.
Franca kërkon që hyrja në fuqi e një vendimi eventual për liberalizimin e vizave për Kosovën, të kushtëzohet me fuqizimin e Sistemit Evropian të Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).
Propozimi i ndryshuar i Presidencës çeke të Këshillit të BE-së përmban kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me “nisjen efektive të sistemit ETIAS”, si dhe kërkesat ndaj Kosovës që deri në hyrjen në fuqi, të përmbyllë marrëveshje për riatdhesim me ato vende të BE-së me të cilat nuk ka marrëveshje të tilla deri më tash, si dhe ta përshtatë edhe më tej politikën e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian.
Sistemi digjital, ETIAS, synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. /Telegrafi/


