Përfaqësuesit serbë në Parlamentin e Kosovës ka të ngjarë që ta bojkotojnë seancën e sotme në të cilën duhet të zgjidhet Presidenti i ri i Kosovës, shkruan gazeta serbe Vecernje Novosti, në një shkrim për atë se çfarë mund të ngjajë sot në Prishtinë, kur pritet të votohet Hashim Thaçi për President të vendit, njofton Klan Kosova.
“Përfaqësuesit e Serbisë”, shkruan Novosti, “kishin konsultime të enjten me partnerët e koalicionit shqiptare, si dhe takim me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, për të diskutuar hapat e mëtejshëm dhe për të marrë vendimin në interesin më të mirë të popullit serb”.
Ndërsa mbrëmë në një kronikë të Klan Kosovës, kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, pas një takimi me Gjuriqin në Gorazhdec, pohoi se vendimi përfundimtar ende nuk është marrë, por do të merret në prag të seancës – e cila fillon sot, e premte, në orën 11:00.
Mirpo, Simiq nuk ka specifikuar detaje të tjera, vetëm se ka thënë se “Lista Serbe është unik dhe do të marrë një vendim në interes të popullit serb në Kosovë, në konsultim me Beogradin”, “por edhe me partnerët e koalicionit në Prishtinë”.
Simiq ka shtuar se ai është kontaktuar edhe nga liderët e opozitës në Kosovës, por, siç ka thënë ai, ka refuzuar t’i dëgjojë ata, njofton Klan Kosova.


