Për arritjen e qëllimit publik në realizimin e projektit për ndërtimin e segmentit rrugor “Bashkim Krasniqi” në Lipjan, sot në sallën e Kuvendit të Komunës është mbajtur dëgjimi publik me qytetarë për shpronësimin e pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat ndikohen nga ky projekt.
Me këtë rast, Drejtori për Planifikim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, Imri Semetishti ka prezantuar projektin e rrugës “Bashkim Krasniqi”, projekt ky i cili është edhe pjesë e Hartës Zonale. Ai ka theksuar se në procesin e planifikimit të hartës zonale janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë që në masën më të madhe të mundshme të shfrytëzohen pronat publike, por si Komunë jemi detyruar të futemi edhe në procesin e shpronësimit të pronave private, njofton Komuna e Lipjanit.
“Aktualisht jemi orientuar në shpronësimin, përkatësisht në hapjen dhe ndërtimin e rrugëve të cilat janë më të rëndësishme, për shkak të krijimit të arterieve të reja qarkulluese në qendrën e qytetit dhe pastaj do të vazhdohet edhe me hapjen e rrugëve të tjera varësisht edhe prej mundësive buxhetore që i ka Komuna” është shprehur drejtori Semetishti.
Shefja e sektorit për çështje pronësoro – juridike, Lumnije Ejupi ka njoftuar pronarët pjesëmarrës në këtë dëgjim publik për procesin dhe procedurat administrative sipas legjislacionit në fuqi. Ajo po ashtu ka deklaruar se procesi i filluar do të jetë transparent dhe për të gjitha çështjet pronarët do të jenë të njoftuar me kohë.
Gjatë këtij takimi, pronarët të cilët ndikohen nga projekti i shpronësimit kanë parashtruar pyetje dhe të njejtit kanë marrë përgjegje nga përfaqësuesit komunal.



