LIVE: Në mesnatë nis reciprociteti, Kosova gati ta zbatojë marrëveshjen (VIDEO)

PUBLIKUAR

21:10 – Sveçla: Presim të nisë zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, po bëhet pas 11 vjetësh

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, foli për marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet e identifikimit që pritet të zbatohet pas tri orësh.

“Për pak kohë fillon zbatimi që qytetarët e Kosovës shkojnë pa pengesa në territorin e Serbisë. Ky vendim po zbatohet pas 11 vjetësh. Tanimë nuk do të mund të maltretohen qytetarët tanë me dokumentacione te ndryshme e të shumta”.

Ai tha se “të gjitha instrumentet e sigurisë së Kosovës janë vigjilente” karshi veprimeve të Serbisë.

“Ka një kohë që ka një mobilizim shtesë dhe tani në ballafaqimin e fundit atje, pas vendosjes së barrikadave, kemi parë njerëz të uniformuar nëpër rrugët e veriut të Kosovës brenda një kohe të shkurtër duke i lënduar edhe disa qytetarë tanë”, deklaroi Sveçla në televizionin publik.

Ministri i Brendshëm theksoi se ajo çka ka ndodhur më 31 korrik në veri ishte një skenar i organizuar nga Serbia dhe realizohej nga njerëz të Serbisë në bashkëpunim me grupet kriminale të veriut.

20:56 – Zyrtarët kosovarë në Merdarë janë gati ta zbatojnë reciprocitetin

Zyrtarët kosovarë në pikën kufitare në Merdarë thanë se janë të gatshëm për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë, nëse pala serbe nuk e respekton ujdinë e arritur në Bruksel të shtunën e 27 gushtit.

Gazetari i Klan Kosovës, Flamur Gajtani, dhe ekipi i tij do të qëndrojnë në pikën më të madhe kufitare që lidh Kosovën me Serbinë për të parë nëse ujdia do të respektohet nga dyja palët.

20:34 – Në Bërnjak, të gatshëm për reciprocitet

Situata në pikën kufitare të Bërnjakut momentalisht është e qetë.

Gazetari i Klan Kosovës, Haris Ademi, ka thënë se sa ishin duke shkuar te kjo pikë kufitare – nga fshati Çabër deri në Bërnjak – kanë hasur në dy pika patrulluese të KFOR-it të cilat janë vendosur aty që të sigurojnë se çdo gjë është nën kontroll.

Ai ka raportuar edhe për tri pika patrulluese të Policisë së Kosovës, derisa në Bërnjak janë të vendosura forcat që rregullisht qëndrojnë në afërsi të kësaj pike kufitare.

Në Bërnjak ka qarkullim të vogël të veturave, në ndërkohë që gjithçka po funksionon si çdo ditë tjetër.

20:30 – Në Jarinjë Serbia vazhdon t’i lëshojë dokumentet për hyrje/dalje 

Në pikëkalimin kufitar në Jarinjë autoritetet serbe po vazhdojnë të lëshojnë dokumentin për hyrje/dalje për secilin person që me dokumente të Kosovës hyn në Serbi.

Kjo pritet të vazhdojë deri në mesnatë, kur edhe pritet të hyjë në fuqi marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë sipas së cilës asnjëra palë nuk do t’i lëshojë dokumentet për hyrje/dalje për shtetasit e palës tjetër.

Gazetari i Klan Kosovës, Drin Demiri, raporton se në Jarinjë autoritetet serbe kanë vendosur një tabelë që tregon se letërnjoftimet kosovare janë pranuar vetëm sa i përket lehtësimit të lëvizjes së lirë për qytetarët dhe për asnjë qëllim tjetër, duke bërë të ditur se Serbia s’e ka lëkundur qëndrimin e saj në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Policët kufitarë i kanë thënë Klan Kosovës se kanë urdhër që ta zbatojnë marrëveshjen vetëm nëse nis zbatimi i marrëveshjes nga Serbia.

Nëse Serbia nga mesnata, ashtu siç e parasheh marrëveshja, nuk do ta lëshojë më dokumentin për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës, atëherë as Kosova nuk do të nisë së lëshuari këtë dokument për shtetasit e Serbisë.

SHIKO MË SHUMË

Policia e Kosovës ia konfiskon armën me leje një personi në Shtime pasi shtiu me të gjatë një ahengu familjar

Policia e Kosovës ka konfiskuar një armë zjarri, pasi me datën 07.11.2026, i dyshuari,...

Aleanca kritikon Qeverinë Kurti: Po e përmbyllni javën me shkelje e skandale

Aleanca, partia që tashmë e drejton nga Ardian Gjini, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës...

Presidenti i Malit të Zi i dërgon letër urimi presidentes Shiroka Pula

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pranuar një letër urimi nga presidenti i...