Dr. Driton Haziri,
Kardiolog
tel. 044 312 189
Takikardia është term mjekësor për rrahjet e shpejta të zemrës mbi 100 rrahje në minutë; mund të fillojë në dhomat e poshtme të zemrës (ventrikuj) ose në dhomat e sipërme (atriume). Me këtë ritëm të shpejtë zemra nuk është në gjendje të pompojë në mënyrë efikase gjakun e pasur me oksigjen në trup.Ritmi i zemrës kontrollohet nga një stimulues kardiak natyral (nyja sinoatriale) e cila gjendet në dhomën e sipërme të djathtë (atrium). Nyja sinoatriale dërgon sinjale elektrike që normalisht të fillojë çdo rrahje zemre. Këto sinjale elektrike lëvizin nëpër atriume duke bërë që muskujt e zemrës të shtrëngohen (kontraktohen) dhe të pompojnë gjakun në barkushe (ventrikuj).
Më pas sinjalet arrijnë në një grup qelizash të quajtur nyja atrioventrikulare ku ngadalësohet për një pjesë të sekondës; kjo vonesë e lehtë lejon që barkushet (ventrikujt) të mbushen me gjak. Pastaj sinjali përcillet në tufën e His-it, poshtë septumit ndërventrikular dhe përmes degëve të His-it dhe fibrave Purkinje përhapen impulset valore përgjatë ventrikujve, duke i bërë ato të tkurren dhe të pompojnë gjakun në mushkëri ose pjesë tjera të trupit.
Ky proces i përçimit të impulseve në zemër zakonisht shkon pa probleme, duke rezultuar me një rrahje zemre prej 60 deri në 100 rrahje në minutë.



