Kryeparlamentari, Kadri Veseli, ka thënë se Kuvendi do ta vazhdojë punën për përmbushjen e agjendës legjislative, pavarësisht faktit se opozita po përpiqet që ta pengojë zhvillimin e seancave tash e gjashtë muaj.
Sipas Veselit, nuk mund të shkohet në zgjedhje në këtë situatë, pasi ende nuk është i qartë qëndrimi i opozitës për Republikën e Kosovës. Sipas kryeparlamentarit, opozita duhet të ketë një qëndrim të saktë se a e duan bashkimin kombëtar, a e respektojnë flamurin e Kosovës, a e njohin Republikën, e të ngjashme.
Këto deklarata ai i ka dhënë në një konferencë për medie, lidhur me zhvillimet e së premtes në Kuvend.
“Siç e dini, tash e sa muaj në Kuvendin tonë jemi duke u ballafaquar me një situatë, e cila është e vështirë për ne deputetët e këtij Kuvendi, nga fyerjet e rënda deri në rrezikun e eskalimit fizik… Gjatë tërë kësaj kohe jemi munduar t’i ikim kësaj gjuhe dhe këtij eskalimi për hir të interesave të qytetarëve tanë dhe të vendit tonë. Por, kolegët tanë opozitarë, siç u pa edhe sot, në mënyrën më të vrazhdë vepruan prapë me veprimet e tyre joligjore dhe jodemokratike”, ka deklaruar Veseli.
Kuvendi, sipas tij, do të vazhdojë punën derisa koalicioni qeverisës e kërkon një gjë të tillë. Veseli i ka pyetur opozitarët se a e njohin Republikën e Kosovës, shkruan Zëri.


