Më 18 shkurt 2016, pas një sëmundje të gjatë ndërroi jetë infermierja e parë shqiptare në Kosovë, Razije Mekuli-Salihu.
Ajo u lind me 28.11.1931 në Plavë. Shkollën e mjekësisë e kreu në Pejë me 1947.
Më 1948 filloi punën si infermiere në Plavë. Po atë vit është transferuar në spitalin e Prishtinës. Po ashtu, punoi edhe në drejtorinë për shëndetësi në Komunën së Prishtinës.
Nga viti 1963 ka shërbyer si motër kryesore – kryeinfermiere në Qendrën e Mjekësisë familjare në Prishtinë.
Ishte e angazhuar dhe e përkushtuar në vaksinimin e popullatës nëpër fshatra të ndryshme gjithandej Kosovës.
“Ishte ndër të pakta infermiere shqiptare që fitoi mirënjohje të shumta dhe la gjurmë në profesionin e infermierisë në Kosovë. Ku edhe do të mbahet mend si një punëtore e zellshme shëndetësore e cila ishte e dedikuar dhe përkushtuar thellësisht ndaj profesionit të infermierisë”, thuhet në njoftim.
Shërbeu si infermiere deri në vitet e pensionimit me 1981. Për infermieren e parë shqiptare në Kosovë, Razije Mekuli-Salihu është shkruar edhe në librin “Gra të njohura të trojeve shqiptare” të autores Hanëmshahe Ilazi. /Telegrafi/


