Borrell: Asetet e ngrira të Rusisë të përdoren për rimëkëmbjen e Ukrainës

PUBLIKUAR

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se blloku duhet ta shqyrtojë mundësinë e sekuestrimit të aseteve të ngrira nga rezervat valutore të Rusisë dhe t’i përdorë ato për të ndihmuar në financimin e përpjekjeve për rindërtimin e Ukrainës pasi të përfundojë lufta.

Borrell tha për Financial Times se një masë e tillë do të ishte e ngjashme me atë të Uashingtonit, kur ky i fundit përdori asetet e ngrira të Bankës Qendrore afgane, pas kthimit të talibanëve në pushtet, për të ndihmuar Afganistanin e shkatërruar nga lufta.

 

Në mars, Rusia tha se sanksionet ndaj saj për shkak të luftës në Ukrainë, kanë ngrirë rreth 300 miliardë dollarë asete – gjysma e rezervave të përgjithshme të arit dhe valutës së saj – të mbajtura jashtë vendit nga Banka Qendrore e Rusisë.

“Komisioni Evropian ka thënë se çmimi i rindërtimit mund të arrijë në qindra-miliarda dollarë dhe kryeqendrat e BE-së duhet ta shqyrtojnë mundësinë e sekuestrimit të rezervave të ngrira të valutës ruse për të ndihmuar në financimin e rindërtimit në Ukrainës pas luftës”, tha Borrell për Financial Times.

“Ne i kemi paratë në xhepat tona dhe dikush duhet të më shpjegoj pse një vendim i tillë mund të vlejë për paratë afgane dhe jo për paratë ruse”, shtoi ai.

Pasi talibanët morën pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021, administrata amerikane e presidentit Joe Biden, ngriu pothuajse 7 miliardë dollarë asete të Bankës Qendrore, të cilat po mbaheshin në Bankën e Rezervave Federale në Nju Jork.

Në shkurt, Shtëpia e Bardhë tha se planifikonte që të përdorte gjysmën e aseteve, që aktualisht janë të ngrira në Amerikë, për ndihmë humanitare dhe pjesën tjetër mund ta përdorë për të kompensuar familjarët e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001.

Borrell tha se një masë e tillë mund të jetë një nga mënyrat përmes së cilave Rusia mund të detyrohet që të paguajë “kompensime të luftës” për pushtimin e paprovokuar kundër Ukrainës, të cilin e nisi më 24 shkurt.

“Kjo është një nga pyetjet më të rëndësishme politike që aktualisht është në tavolinë: kush do të paguajë për rindërtimin e Ukrainës?”, tha ai./ REL

SHIKO MË SHUMË

Haradinaj për vizitën e Listës Studentore në Kosovë: Mos lejoni me u përsëritë

Deputeti i Aleancës Ramush Haradinaj, në seancën e sotme është deklaruar lidhur me vizitën...

Haxhiu: Ligji për Specialen nuk është në rend dite, vendosin deputetët nëse ka kërkesa

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Ligji për Dhomat e...

Arrestohet një shtetas turk në Prishtinë, dyshohet se keqpërdori kartelat bankare të të huajve për blerje online

Një shtetas i Turqisë është arrestuar të mërkurën në Prishtinë, nën dyshimin se ka...