Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka deklaruar se testi i maturës shtetërore sivjet do të mbahet më 18 qershor dhe atij pritet t’i nënshtrohen rreth 24 mijë nxënës. Para kësaj pritet të mbahet testi i arritshmërisë për të cilin Pupovci ka bërë të ditur se ndahet në dy ditë, më 4 dhe 14 qershor. Në një konferencë për media, zëvendësministri i Arsimit ka thënë se presin rezultate të sakta për këto dhe testin PISA në mënyrë që të dihet cila është gjendja në arsim.
Pupovci ka thënë se testi i arritshmërisë, të cilit iu nënshtrohen nxënësit që përfundojnë klasën e nëntë, do të organizohet në dy ditë në mënyrë që nxënësve t’u shtrohen më shumë pyetje nga lëndë të caktuara.


