Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka kritikuar Bashkimin Evropian për hezitimin që të liberalizojë vizat për Kosovën duke thënë se thirrjet e Parlamentit Evropian që kjo të bëhet, po hasin në veshë të shurdhër. Ajo këtë e ka thënë në një fjalim përmes videos në një konferencë për Ballkanin Perëndimor të zhvilluar të Bullgari.
“Me gjithë faktin se i kanë përmbushur të gjitha kërkesat tona, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të kenë nevojë për viza për të hyrë në Bashkimin Evropian. Thirrjet e përsëritura të Parlamentit Evropian kanë hasur në veshë të shurdhër. Jo vetëm se kjo është e pandershme, por edhe e dëmton kredibilitetin e BE-së dhe na bën më të dobët”, ka thënë ajo.
Presidentja e Parlamentit Evropian, Metsola, ka tërhequr vërejtjen se Rusia po tenton të destabilizojë Ballkanin Perëndimor dhe BE-ja duhet të jetë vigjilente.
Duke e quajtur procesin e zgjerimit të BE-së si sukses të madh me fuqi transformuese, ajo ka përsëritur se Parlamenti Evropian do të vazhdojë të jetë mbështetës i madh i zgjerimit.
Parlamenti Evropian për vite me radhë ka kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën dhe nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në rastin e Kosovës, Parlamenti ka dhënë edhe pëlqimin e nevojshëm pas rekomandimit të Komisionit Evropian.
Por, qëndrimet e Parlamentit Evropian nuk janë ligjërisht obliguese për vendet anëtare të BE-së. E, vendimet përfundimtare miratohen në Këshill pikërisht nga shtetet anëtare./REL


