“Fatkeqësisht nuk kemi një listë të përbashkët, shkojmë me dy lista të ndara. Ne synojmë të kemi tri mandate në Parlamentin e Serbisë dhe ligji e mundëson këtë”, tha ai për RTK’në.
Qeveria e Serbisë ka vendosur që një pjesë e serbëve të Anamoravës, nga ana e Kosovës, të votojnë në Bujanoc, dhe kjo mund të ndikojë në destabilizimin e Bujanocit.
“Nuk e kuptoj pse qeveria e Serbisë i ka sjell serbët të votojnë pikërisht këtu, e jo në vendbanime serbe. Kjo mund ta rëndojë situatën këtu, në ditën e zgjedhjeve”, tha ai.
Ndërsa, sa i takon vendimit të Qeverisë Kurti, që të ndalojë mbajtjen e votimeve për zgjedhjet parlamentare të Serbisë në Kosovë, Kamberi thotë se beson që qeveria e Kosovës, së bashku me miqtë ndërkombëtar, i ka shqyrtuar dhe analizuar mirë pasojat që do të sillte mbajtja e votimeve serbe në Kosovë.
Kurse lidhur me paralajmërimin e serbëve se do të tërhiqen nga institucionet e Kosovës, Kamberi thotë se kjo tashmë nuk është asgjë e re.
“Nuk është hera e parë që Serbia synon ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga Bosnje e Hercegovine, Mal të Zi e tash edhe në Kosovë, dhe të imponojë ndikimin serb, si thonë ata me fjalorin e ri politik, “bota serbe”, tha ai.
Kamberi thotë se kjo duhet të parë edhe si tentativë e Aleksandër Vuçiqit që të mbledh sa ma shumë vota në Kosovë, të nacionalistëve serbë të ekstremit të djathtë.
Ai kritikoi qeverinë serbe edhe për pasivizimin e adresave të shqiptarët, gjë që ka ndryshuar strukturën e banimit në Bujanoc dhe kjo do të ndikojë edhe në përfaqësimin rajonal dhe qendror të shqiptuarve atje.