Një befasi e dorës së parë ndodhi sonte në botën e futbollit. Italia, kombëtarja që fitoi Kampionatin Evropian në korrik të vitit të kaluar nuk ka arritur të sigurojë kualifikimin në Kupën e Botës që mbahet në fund të këtij viti.
Kampioni aktual i Evropës është mposhtur në play-off nga Maqedonia e Veriut në sekondat e fundit të ndeshjes, shkruan Gazeta Express.
Goli i fitores 0:1 erdhi në minutën e 90+2 nga Trajkovski, i cili heshti “Renzo Barberan” e stërmbushur me italianë. Gol ky që dërgon Maqedoninë e Veriut në finalen e play-offit ku do të përballet me Portugalinë.
Fituesi i atij takimi do të kualifikohet në Kampionatin Botëror që zhvillohet në fund të vitit në Katar.
Kështu, Italia nuk arrin për të dytën herë radhazi të kualifikohet në Botëror. “Azzuri” dështuan të kualifikoheshin edhe në Botërorin e vitit 2018 që u mbajt në Rusi.
Ndeshja e fundit e Italisë në Kupën e Botës ishte në vitin 2014 më 15 qershor në fazën e grupeve ndaj Anglisë, saktësisht 2839 ditë më parë.
Ndërkohë, ndeshja e fundit e Italisë në fazën e nokautit në një Kampionat Botëror është më 9 korrik 2006 në finale ndaj Francës, ku edhe kishin fituar, saktësisht 5737 ditë më parë.
Italia tani si kampion i Evropës do ta shikojë në shtëpi Kupën e Botës që do të mbahet në Katar gjatë këtij viti në muajt nëntor dhe dhjetor. /Gazeta Express/


