Narko-bosi meksikan Joaquin “El Chapo” Guzman, që së fundmi u arrestua, duket se është i gatshëm të pranojë fajësinë për gjitha akuzat që janë ngritur kundër tij nga ana e autoriteteve të Shteteve të Bashkuara, dhe të vuaj dënimin në atë vend. Megjithatë, kreu i kartelit Sinaloa ka një kusht për këtë.
“El Chapo nuk dëshiron të dërgohet në një burg të sigurisë së lartë, ku do t’i ndalohet kontakti me të burgosurit e tjerë, dhe ku lëvizja në oborrin e burgut do t’i kufizohet në një orë në ditë. Ai dëshiron që ta shikojë diellin gjatë gjithë ditës”, ka deklaruar avokati i Guzman, Hose Refuhio Rodriguez, transmeton Telegrafi.
.jpg)
Gjatë një interviste dhënë “Univision”, ai tha se El Chapo nuk do të gjunjëzohet gjatë debatit me amerikanët, sepse ekzistojnë rregullore ligjore me të cilat mund të luftohet ekstradimi.
“Qeveria amerikane do ta shohë se kemi aftësi të fitojmë në procesin e ekstradimit nga Meksika. Dhe kur ta kuptojnë këtë, do të mendojnë për ofertën tonë që El Chapos t’i jepen kushte më të favorshme. Guzman nuk do të gjunjëzohet para tyre duke i lutur për ndihmë”, ka shtuar Rodriguez.
Këto kërkesa të El Chapos kanë të bëjnë me kushtet e burgut federalë ADX në Kolorado, që në opinionin njihet si “Alkatrazi shkëmbor”.
.jpg)
Ky institucion me të drejtë konsiderohet si një nga burgjet më të rrepta në Shtetet e Bashkuara. Të burgosurit kalojnë ditët nëpër qelitë e tyre me dimensione 4×2.40 metra, që janë të rrethuara me mure të trasha betoni dhe me dyer të dyfishta metalike, në mënyrë që të burgosurit të mos mund të shohin njëri-tjetrin.

Të burgosurit jashtë qelive mund të kalojnë maksimalisht dhjetë orë në javë, nga të cilat mund të zgjedhin nëse dëshirojnë ti kalojnë vetëm, duke ushtruar në palestër pa dritare apo në oborr së bashku me të tjerët. Nëse vendosin t’i kalojnë orët në oborr, ata futen në kafaze të veçanta, në mënyrë që të mos kenë kontakt me njëri-tjetrin.
Që El Chapo nuk do të pranojë të mbyllet në një burg të këtij lloji, e kishte konfirmuar muaj më parë John “Popeye” Velasquez”, ish-vrasës me pagesë i kartelit Medellin të Pablo Eskobar. /Telegrafi/


