Rruga e Thaçit drejt Presidencës dhe ndryshimet e mundshme në Qeveri

PUBLIKUAR

Zgjedhja e kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, në pozitën e presidentit të Kosovës, pritet të sjellë ndryshime edhe në fotografinë e përbërjes së kabinetit qeveritar.

Mediat këto ditë kanë shkruar rreth asaj se kush do ta zëvendësojë Thaçin në krye te Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ).

Ish – ministri i MPJ-së, Enver Hoxhaj, është njëri nga emrat më të lakuar për ta rimarrë timonin e MPJ-së, në momentin që Thaçi do të kalojë në presidencë.

Por, i pari i PDK-së, në ekzekutivin kosovar, përveç punës si ministër ushtron edhe funksionin e zëvendëskryeministrit, pozitë kjo për të cilën ende nuk dihet se kush do ta drejton.

Emri që ka filluar të përfolet, ndonëse ka pasur një premtim parazgjedhor nga ana e shefit të PDK-së për të, është ai i deputetit të PDK-së, Ramiz Kelmendi, njëherësh njëri nga biznesmenët më të suksesshëm në Kosovë.

Mirëpo, në këtë drejtim ende nuk është konfirmuar asgjë.

Kalimi i pronarit të rrjetit të qendrave tregtare ETC nga AAK-ja në PDK, kishte bërë që kjo e fundit të ketë një rritje të dukshme në qytetin e Pejës.

Kelmendi në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se ai ende e ka gatishmërinë, ndonëse varet prej kreut të partisë, që të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës.

Ai ka thënë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë sinjal të qartë, ndonëse shumë shpejt pritet kalimi i Thaçit në presidencë, që ai do të bëhej pjesë e ekzekutivit kosovar.

“Jemi duke pritur se si do të shkojnë punët, pas kalimit të liderit të partisë në presidencë. Ndoshta ka pritje dhe kërkesa të mëdha në këtë drejtim”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, mund të ndodhë që rokada në Qeverinë e Kosovës të krijoj mundësi që dy figura të reja të bëhen pjesë e Qeverisë – njëri në pozitën e ministrit të MPJ-së, tjetri në pozitën e zëvendëskryeministrit.

“Fusha e interesimit tim, ka qenë dhe mbetet ekskluzivisht zhvillimi ekonomik. Platforma ime është unifikuese dhe jo ndarëse. Pozita e zëvendëskryeministrit do të ma mundësonte një rol unifikues, udhëzues dhe orientues rreth çështjeve të zhvillimit ekonomik. Kemi një zhvillim ekonomik të ç’orientuar. Nuk janë të sinkronizuara veprimet ministrore. Ka munguar një orientim i këtyre ministrive që të shkojë në funksion të zhvillimit dhe të përmirësimit të ambientit dhe legjislacionit për zhvillimin ekonomik”, ka thënë ai.

Ai më tutje ka theksuar se beson “sa jam më i aftë se shumë të tjerë në këtë drejtim, sepse e kam përvojën, praktikën e mjaftueshme edhe përmes punës time në këtë drejtim e kam dëshmuar veten time”.

Biznesmeni i njohur vazhdimisht ka prezantuar platformën e tij për kahjen që duhet ta ketë zhvillimi ekonomik në Kosovë, me theks të veçantë përkrahjen e prodhuesve vendor. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Parlamenti Evropian i bën thirrje Kosovës për reforma dhe institucione funksionale

Parlamenti Evropian ka kërkuar nga Kosova që të përshpejtojë reformat që lidhen me integrimin...

Vdekja e të riut në kantierin e ndërtimit në Prishtinë, Inspektorati sqaron kompetencat dhe paralajmëron masa ligjore

Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar pas aksidentit të rëndë në një kantier ndërtimi...

Raporti për krimet e luftës, Kurti: Ky raport është dëshmi institucionale e çmimit të shtrenjtë të lirisë që e gëzojmë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e...