Interi ka nisur që tani të mendojë për trajnerin e sezonit të ardhshëm.
Konfliktet e Roberto Mancinit me ambientin që e rrethon mund të jenë një sinjal i qartë i tij për shoqërinë, e cila me sa duket ka kuptuar vullnetin e 51-vjeçarit për t’u larguar nga “San Siro”.
E gjendur në këtë situatë, Interi po mendon për një zëvendësues të denjë.
Në Spanjë thuhet se Roberto Mancini ka vendosur që të largohet nga Interi. Sipas “Quotidiano Sportivo”-s, 51- vjeçari do të qëndronte në “Meazza” vetëm në rast se do të fitonte titullin kampion. Në të kundërt ai mund t’i hapë rrugë një rikthimi të bujshëm.

Për të përditshmen iberike, Erick Thohir do të ishte gati që të bënte çmenduri vetëm që në pankinën e skuadrës së tij të shikonte Diego Pablo Simeonen. Trajneri i Atleticos së Madridit pëlqehet shumë prej shoqërisë zikaltër që, nëse do ta marrë, atëherë do të bënte një mrekulli.
Kontrata me klubin madrilen i skadon më 2020-n dhe kjo pritet ta pengojë që të rikthehet në Milano. /Telegrafi/


