Portieri i dytë i Juventusit, Neto, thotë se ka raporte të mira me numrin një të skuadrës, Gianluigi Buffon.
Braziliani u largua nga Fiorentina për të kaluar te Bianconerët si lojtar i lirë gjatë verës që shkoi, duke e ditur se nuk mund t’ia zinte vendin veteranit italian që është zgjedhja e parë te bardhezinjtë që nga viti 2001.
“Erdha te Juventusi që të bëhesha pjesë e grupit. Është një prej pesë, dhjetë klubeve më të mëdha në botë. Është vendimi i trajnerit nëse do të luaj ose jo, por unë jam i gatshëm”.
“Kam raporte të mira me Gigin, të gjithë e dinë se ai është një profesionist i madh dhe një person i mrekullueshëm”.
“Është një avantazh i madh për mua se e kam mundësinë që të mësoj nga ai ditë për ditë, për t’u zhvilluar si sportist”, ka deklaruar Neto për Goal. /Telegrafi/


