Vetura, armë e para, krejt çka konfiskoi policia në aksionin e djeshëm

PUBLIKUAR

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës të martën kanë zhvilluar një aksion në dymbëdhjetë lokacione, ku janë arrestuar dhjetë persona, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit, ushtrim të ndikimit dhe ndotje e degradim të mjedisit, raporton Express

Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar në Brezovicë, Shtëprcë, Ferizaj dhe Prishtinë.

“Brezovicë, Shtërpcë, Ferizaj dhe Prishtinë 21.12.2021 – 06:00. Gjatë një operacioni policor janë arrestuar dhjetë të dyshuar meshkuj kosovar, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat e lartcekura. Me urdhëresë të gjykatës janë kontrolluar 12 lokacione të ndryshme”, ka bërë të ditur policia.

Gjatë këtij aksioni, policia ka gjetur dhe konfiskuar para, armë, municion, vetura, aparat për prodhimin e kriptovalutave dhe pajisje të ndryshme elektronike.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Gjatë bastisjes janë konfiskuar: një sasi e konsiderueshme para të valutave të ndryshme, armë të ndryshme, një sasi e municionit,  vetura, aparat për prodhimin e kripto valutave si dhe pajisje të ndryshme elektronike. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka bërë të ditur policia.

Ndryshe, gjatë aksionit të djeshëm është arrestuar edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq,i cili dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Prokurori i çështjes, Rasim Maloku, gjatë një konference për media tha se Nikolliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë villa, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e villave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar të Maleve të Sharrit, ku gjendet edhe Brezovica.

“Vetëm ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës dyshohet që ka marrë mbi një milion euro. Dyshohet se janë disa villa që janë përfituar si dhurata, vetura që janë marrë si dhurata për lëshimin e lejeve”, tha Maloku.

Sipas Malokut, shumica e ndërtesave të ndërtuara janë ndërtuar kundërligjshëm.

Aksioni i koduar “Brezovica”, sipas Prokurorisë në Ferizaj, është zhvilluar në 12 lokacione në rajonin e Ferizajt, Prishtinës dhe Shtërpcës. Sipas autoriteteve, tetë nga të arrestuarit janë nga rajoni i Ferizajt dhe dy nga i Prishtinës.

SHIKO MË SHUMË

QKUK paralajmëron rrënimin e objekteve pa leje në oborrin e saj: Hapësirat e uzurpuara me vite po u kthehen qytetarëve

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka paralajmëruar rrënimin e objekteve pa leje në oborrin...

Nën kërcënimin e thikës i mori 7660 euro punonjëses, aktakuzë ndaj një personi në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet Ç.Zh. për...

Dëmet nga erërat e forta pezullojnë mësimin në gjimnazin e Ferizajt

Mësimi është pezulluar sot në Gjimnazin “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj, për shkak të...