E ardhmja e Shkëlzen Gashit ende është e paqartë, pasi sulmuesi i Kombëtares shqiptare nuk pritet të vazhdoi me Baselin.
Shkëlzen Gashi nuk ka pasur hapësira këtë edicion me Baselin, pasi marrëdhënia e tij me trajnerin Fischer është prishur totalisht.
Por kur jemi në fundin e afatit kalimtar, e ardhmja e Gashit ende nuk është zbuluar dhe ai mund të mbetet në Zvicër, të transferohet në Gjermani apo Itali si dhe të ndërroj kontinent, pasi Amerika dhe Kina janë opsionet tjera.
Në Itali Gashi mund t’i bashkohet Blerim Xhemailit te Genoa që duket favorite për ta transferuar shqiptarin në Serie A.
Ndërkohë Telegrafi merr vesh nga burimet e saj të afërta me lojtarin se në kampionatin gjerman disa skuadra nga Bundesliga 1 dhe 2 kanë shprehur interesim si Hannover dhe Frankfurt nga elita e futbollit gjerman, ndërsa St Pauli, Greuther Furth dhe Sandhausen janë skuadrat nga Bundesliga e dytë gjermane që po e kërkojnë Gashin, transmeton Telegrafi.
Opsion është edhe qëndrimi i tij në Zvicër por jo te Baseli ku është bërë i padëshiruar. Luzern, Young Boys, Sion dhe Zuirch janë skuadrat që kanë kërkuar shërbimet e tij.
Në rast se nuk arrin marrëveshje me ndonjërën prej skuadrave evropiane, Gashi atëherë mund të ndërrojë edhe kontinent, pasi ka oferta zyrtare nga Amerika dhe Kina.
Gjatë orëve të ardhshme pritet të zyrtarizohet e ardhmja e Gashit, por vështirë duket se klinasi do të mbetet në Basel, pasi në rast se një gjë e tillë ndodhë ai do ta rrezikonte pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian me Shqipërinë. /Telegrafi/


