Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se përflitet se ka pasur raste, kur është ndalur me qëllim prodhimi i rrymës në blloqe për interesa të caktuara, raporton Express.
Gjatë raportimit në Komisionin Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli tha se kanë dyshime se një gjë e tillë ka ndodhur edhe gjatë verës.
“Ka pasur raste në të kaluarën kur është përfolur që edhe për arsye se dikujt i konvenon që blloku të ndalet e të ndizet prapë për shkak të lëndës së parë që duhet të blihet shtesë, përflitet dhe janë thashetheme që nuk mund t’i them me saktësi, që janë ndalë blloqet për shkak të neglizhencës, ose gabimit njerëzor me qëllim, ka ardhur deri tek ndalja e një blloku bë mënyrë që të ketë përfitime të tilla. Ne në fakt kemi pasur një dyshim, në radhë të parë Bordi i KEK-ut, që një gjë e tillë ka mundur të ndodhë edhe gjatë verës dhe ka pasur raportim në polici dhe në hetuesi në të kaluarën”, k thënë ajo”, ka thënë ajo.
Duke raportuar për krizën energjetike, Rizvanolli deklaroi se Kosova ka tejkaluar çmimin e importit të energjisë elektrike për vetëm dy muaj.
Ajo tha se vetëm për periudhën nëntor-dhjetor, për importin e rrymës janë harxhuar mbi 12 milionë euro.
“ZRRE ka hapur kërkesën e shqyrtimit të jashtëzakonshme të tarifave dje në përputhje me obligimet ligjore duke qenë se shpenzimet e operatorëve janë shumë më të larta sesa ka qenë e parashikuar. Shpenzimet e importit kanë arritur në 12 milion për periudhën nëntor-dhjetor, teksa ka qenë e paraparë që për tërë vitin të shpenzohen jo më shumë se 12 milion për import”, ka thënë ajo.
Më tutje, Rizvanolli deklaroi se çmimet e importit të energjisë elektrike për kilovat janë deri pesëfish më të larta se a çmimet që operojnë aktualisht në treg.
“Aktualisht energjia elektrike gjatë ditës shitet me çmimin prej 7 cent për kilovat, përderisa çmimet e importit janë minimalisht katër, pesëfish më të larta dhe është çështje kohe derisa një kompania do të mundet që ta përballojë këtë. Probleme kemi edhe nga ana e KOSST-it për shkak që nuk janë kryer pagesat nga ana e KEDS-it dhe KEK-ut për tarifat dhe për blerjen e energjisë nga ana e KOSST-it me çmime të larta për shërbime të balancimit të sistemit”, ka thënë më tutje ajo.
Kosova së fundmi është prekur nga kriza energjetike. Kryeministri Albin Kurti ditë më parë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u ka bërë thirrje ministrave që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për t’u siguruar rryma për qytetarët. /Gazeta Express


