Kurti priti në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi

PUBLIKUAR

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.

Kryetari Arifi e falënderoi kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për buxhetimin e 2 milionë eurove për komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

E kemi mirëpritur ndarjen e këtyre mjeteve edhe për faktin që për herë të parë jemi bërë pjesë e buxhetit të Kosovës, tha Arifi, duke shprehur shpresën se kjo shumë do të rritet vit pas viti.

Në takim u diskutua për problemet me të cilat po përballen qytetarët shqiptarë dhe Arifi shprehu shqetësimin për vazhdimin e shlyerjes së tyre nga regjistri civil.

Në Serbi ekziston ligji për shlyerjen e qytetarëve nga regjistri civil nëse nuk banojnë në adresat të cilat i kanë të paraqitura, por kjo shlyerje apo pasivizim, po ndodh në mënyrë selektive dhe nga kjo më së shumti pësojnë qytetarët shqiptarë.

Për ne ky veprim i politikës serbe paraqet tendencë për ndryshimin demografik të komunave me shumicë shqiptare, tha Arifi.

Teksa u shpreh mirënjohës për subvencionimin nga Qeveria të specializantëve që deri më tani ishin me vetëfinancim, Arifi theksoi problemin e mosnjohjes nga Serbia të diplomave të Republikës së Kosovës, që po e pamundëson punësimin e të diplomuarve dhe po nxit migrimin e profesionistëve në vendet perëndimore.

Kryeministri Kurti tha se në takimet që ka pasur në Bruksel me palën serbe, por edhe në të gjitha takimet e konferencat ndërkombëtare vazhdimisht e rithekson se për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë, duhet të zbatohet reciprociteti i të drejtave të minoriteteve në shtetet e rajonit.

Për çështjen e diplomave, certifikatave, patent shoferëve e lejenjoftimeve është duke u insistuar  në Bruksel, por Serbia vazhdon të refuzojë të njohë dokumentet zyrtare të Republikës së Kosovës.

Kryeministri theksoi se Qeveria e Kosovës do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim dhe për të ndihmuar banorët shqiptarë, dhe kërkoi nga liderët shqiptarë që t’i koordinojnë dhe t’i bashkërendojnë veprimet politike.

Në takim ishin të pranishëm edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, z. Hydajet Hyseni e z. Avni Dehari, dhe babai i aktivistit të vrarë të LVV-së, Arben Xheladini, z. Shaban Xheladini.

Takimi me Nagip Arifi është vazhdimësi e takimeve që kryeministri Kurti mban me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe shtimin e bashkëpunimit për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

SHIKO MË SHUMË

Dy persona gjenden pa shenja jete në Prishtinë dhe Graçanicë

Dy persona janë gjetur pa shenja jete gjatë ditës së djeshme në Prishtinë dhe...

Shqipëria dhe Kosova synojnë forcimin e bashkëpunimit në fushën e arkivave

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, ishte i pranishëm në...

Vranët dhe në disa zona me shi

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se të premten në Kosovë do të ketë vranësira...