Fillon publikimi i formularëve të rezultateve të zgjedhjeve

PUBLIKUAR

Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka filluar të publikojë formularët e rezultateve të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe kuvendeve komunale.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për Telegrafin e se publikimi i formularëve bëhet me qëllim që të rritet transparenca e procesit zgjedhor.

Ky publikim është në proces dhe deri më tani janë publikuar formularët e rezultateve nga disa komuna, derisa do të vazhdohet me publikimin sapo të njëjtit të jenë të gatshëm.

Ai sqaroi po ashtu se këto formularë nuk janë shpallje e rezultatit përfundimtar.

“Ky publikim bëhet me qëllim të rritjes së transparencës për procesin zgjedhor dhe nuk është shpallje e rezultateve përfundimtare”, tha Elezi për Telegrafin.

Siç njoftoi Elezi, formularët skanohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe pastaj ngarkohen në faqen zyrtare të KQZ-së.

“Formularët e rezultateve të subjekteve politike dhe të kandidatëve, nga të dy llojet e zgjedhjeve, skanohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve dhe pastaj ngarkohen në ueb faqe të KQZ-së”.

Në këtë mënyrë të gjithë kandidatët e interesuar kanë qasje për të parë rezultatin në secilin vendvotim.

“Këta formularë janë kopje e formularëve të plotësuar në vendvotime dhe çdo kandidat i interesuar mund t’i shfletojë për ta parë rezultatin e tij që ka arritur në secilin vendvotim”, tha ai.

Formularët mund t’i gjeni duke klikuar në këtë LINK.

Ndryshe, numërimi i votave pritet të përfundojë gjatë kësaj javë, ndërkaq që KQZ-së i duhen edhe disa ditë të tjera për të shpallur rezultatet dhe për të certifikuar zgjedhjet. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Hidhet koktej molotovi në një auto-sallon në Graçanicë, autorët largohen me motoçikletë

Një auto-sallon në Graçanicë ka qenë cak i një sulmi me koktej molotovi gjatë...

Hoti: Qeveria nuk mori masa kundër shtrenjtimit, bizneset me fatura trefish më të larta të energjisë

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, kritikon Qeverinë për mungesë të masave...

Zhduket një vajzë në Prizren

Një vajzë është zhdukur në Prizren, ka njoftuar Policia e Kosovës. Ngjarjen e raportoi në...