Gjykata e Apelit ka njoftuar se është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin e ish-ministres, Meliza Haradinaj-Stublla, raporton Express.
Sipas këtij aktgjykimi, Haradinaj-Stublla ishte liruar nga akuza, meqenëse nuk është vërtetuar se e njëjta e kryer veprën penale mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, nga neni 437, paragrafi 2. KPRK.
“Ndaj aktgjykimit të lartcekur, ka paraqitur ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke i propozuar kolegjit penal të Gjykatës së Apelit të Kosovës, që ankesa të aprovohet, ndërsa çështja penale t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.
Kolegji penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka konstatuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë është e pabazuar, pasi që aktgjykimi i lartcekur i Gjykatës së Themelore në Prishtinë, nuk është përfshirë në asnjë shkelje ligjore, për faktin se nga provat e administruara nuk është vërtetuar se e akuzuara M.H.S., ta ketë kryer veprën penale për të cilën ishte akuzuar, andaj edhe me të drejtë është liruar nga akuza”, thuhet në njoftim./


