Serbia e sulmon Shaqirin dhe kërkon nga FIFA ta ndëshkojë rreptësishtë

PUBLIKUAR

Federata e Futbollit e Serbisë ka njoftuar se do ta dërgojë një letër proteste në FIFA, për t’i kërkuar shtëpisë botërore të futbollit ta ndëshkojë futbollistin kosovar të Zvicrës, Xherdan Shaqiri, për gjoja promovimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Një tifoz i panjohur ia vendosi Shaqirit mbi supe një xhaketë me emblemë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur ai po fliste për media pas fitores së Zvicrës 2:0 kundër Irlandës Veriore të shtunën, raporton Gazeta Express.

Shaqiri ishte duke folur për televizionin publik zviceran kur papritmas u shfaq një tifoz dhe ia vuri mbi shpatulla xhaketën e cila kishte simbole të dukshme të UÇK-së. 30-vjeçari qëndroi i qetë dhe duke buzëqeshur e largoi nga supet menjëherë xhaketën.

Federata serbe e ka shfrytëzuar këtë për ta sulmuar Shaqirin dhe UÇK-në, përmes sekretarit të vet të përgjithshëm, Jovan Surbatovic.

Reklamë
“Ne jemi duke e përgatitur një letër proteste, të cilën do ta dërgojmë në FIFA gjatë ditës. Ne kërkojmë reagim të menjëhershëm dhe ndëshkimin më të rreptë ndaj Shaqirit për promovimin e organizatës terroriste, UÇK, në media”, ka thënë Surbatovic.

Serbisë, natyrisht, i dhemb çdo gjë në lidhje me UÇK-në, e cila e çliroi Kosovën nga pushtimi i saj, dhe me Shaqirin, kosovarin i cili e festoi golin e fitores së Zvicrës kundër ekipit serb në Euro 2016 pikërisht duke e bërë me duar shqiponjën dykrenore, e cila është simbol në flamurin kombëtar kuqezi.

Ndërkohë, Federata e Futbollit e Zvicrës e ka mbrojtur Shaqirin dhe e ka lartësuar për mënyrën sesi reagoi ndaj këtij incidenti.

“Xherdan Shaqiri reagoi në mënyrë shembullore, qëndroi i qetë dhe nuk iu kundërvë”, ka thënë shtëpia e futbollit zviceran.

Federata zvicerane po ashtu njoftoi se tifozi në fjalë është marrë në pyetje nga policia dhe atij i është ndaluar hyrja në stadium për këtë veprim.

Shaqiri – i lindur në Gjilan – i ka bërë 97 paraqitje për Zvicrën në të gjitha garat, duke kontribuuar me 26 gola. Ai është golashënuesi më i mirë në historinë e Zvicrës në turne të mëdha (Botëror e Evropian) me 7 gola./Gazeta Express/

SHIKO MË SHUMË

Ballkani e synon përmbysjen e madhe sonte në Evropë

Ballkani do ta kërkojë përmbysjen e madhe sonte në Evropë. Ekipi kosovar do ta skuadrën...

Dëmtohet fusha e FC Mitrovica, shkak erërat e forta

Erëra të forta kanë kapluar vendin tonë gjatë ditës së sotme. Kështu ndodhi edhe në...

Blerim Gashani prezanton në Paris vizionin e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030

Ministri në detyrë për Sport dhe Rini, Blerim Gashani, ka prezantuar në Paris, në...